Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, janë funksionale kutitë postare në 23 shtete të ndryshme.
Sipas KQZ-së, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Më 14 dhjetor, KQZ ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
“Fletëvotimet, të cilat janë shtypur në Slloveni, kanë arritur në Kosovë të premten më 12 dhjetor dhe pas kësaj shërbimi votues i KQZ-së ka bërë përgatitjen e pakove individuale për secilin votues të regjistruar.
Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, njofton KQZ.
Votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta. KQZ inkurajon votuesit e regjistruar që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit.



Të tjera
Anemia te fëmijët: Si ta identifikoni?
Kurti sot në Prizren, prezanton kandidatët për deputetë
Kompanitë para pak vitesh as nuk e dinin ku është Kosova në hartë, e tash ankohen vetëm për bileta të aeroplanit