Lufta në Ukrainë vijon me zhvillime intensive si në fushën ushtarake, ashtu edhe në atë diplomatike.
Në ditën e 1279-të të konfliktit, SHBA njofton se Rusia ka bërë “lëshime të rëndësishme”, përfshirë dhënien e garancive të sigurisë për Ukrainën, ndërsa Rusia deklaron se ende mban mijëra ushtarë ukrainas në robëri.
Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance deklaroi se Rusia ka pranuar garanci për të mbrojtur Ukrainën nga sulme të ardhshme, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një zgjidhje të negociuar të konfliktit. Ai theksoi se megjithëse nuk ka ende hapa konkrete drejt përfundimit të luftës, përparimi është real.
Në të njëjtën linjë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov konfirmoi në një intervistë për NBC News se Rusia është e hapur për një marrëveshje ku garantues të sigurisë për Ukrainën do të jenë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Gjermaninë, Turqinë dhe të tjera.
Shkëmbim i burgosurish – 146 ushtarë nga secila palë kthehen në atdhe
Një shkëmbim i ri i të burgosurve është kryer ndërmjet dy palëve, 146 ushtarë ukrainas janë kthyer nga territori rus, ndërsa 146 ushtarë rusë janë liruar nga ana ukrainase. Ndër të kthyerit nga pala ukrainase është edhe një gazetar.
Pala ruse pretendon gjithashtu se në këtë shkëmbim janë liruar edhe tetë civilë nga rajoni i Kurskut, të cilët sipas Moskës, ishin ndaluar në mënyrë të paligjshme nga autoritetet ukrainase.
Megjithatë, ndihmësi i presidentit Putin, Vladimir Medinsky, deklaroi se Rusia ende mban mijëra ushtarë ukrainas në robëri.
Përplasje në front, dulme të dyanshme dhe përparime territoriale
Situata në terren mbetet e tensionuar. Forcat ruse kanë pushtuar një vendbanim në rajonin e Dnipropetrovskit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, e cila i referohet fshatit Filia – një pretendim që Kievi nuk e ka konfirmuar.
Në anën tjetër, komanda ukrainase deklaron se ushtria ka rimarrë tre fshatra në rajonin e Donetskut, duke shënuar një përparim të rëndësishëm në atë front.
Dronët rusë kanë goditur më shumë se 10 zona në qytetin e Sumy-t, duke shkaktuar zjarr në ndërtesa banimi dhe dëme në infrastrukturë. Autoritetet lokale raportojnë ndërprerje të energjisë në disa pjesë të rajonit.
Sipas kreut të administratës ushtarake të qytetit, Sergiy Krivosheyenko, sulmi ndodhi rreth mesnatës, ndërsa guvernatori i rajonit, Oleg Khrygorov, konfirmoi se sulme janë regjistruar edhe në komunën Romenska.
Nga ana tjetër, Rusia raportoi se ka rrëzuar 21 dronë ukrainas gjatë natës në disa rajone, përfshirë dy që synonin Moskën. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes ruse, dronët u interceptuan midis orës 23:00 dhe 07:00 në Smolensk, Bryansk, Oryol, Kaluga, Tver dhe Moskë.
Të tjera
Katër gazetarë midis 15 të vdekurve në sulmin izraelit ndaj spitalit në Gaza
Fillon asfaltimi i urave përreth Ibrit
Kristjan Asllani prezantohet te Torino