Gary Lineker thotë se ylli 27-milionësh i Arsenalit është më i miri në botë në pozitën e tij – Ekonomia Online

Gary Lineker thotë se ylli 27-milionësh i Arsenalit është më i miri në botë në pozitën e tij

Gary Lineker beson se Gabriel Magalhães është mbrojtësi më i mirë qendror në futbollin botëror pas rikthimit të tij me gol te skuadra e Arsenalit.

Gabriel ka qenë një lojtar kyç te ekipi i Mikel Artetas që nga ardhja nga Lyon për 27 milionë paund në vitin 2020, duke formuar një partneritet të fortë me William Saliba që e ka bërë Arsenalin mbrojtjen më të mirë në Premierligë gjatë tre sezoneve të fundit.

Një dëmtim në kofshë i marrë gjatë detyrës ndërkombëtare me Brazilin në nëntor e detyroi 28-vjeçarin të humbasë nëntë ndeshje në të gjitha kompeticionet për Arsenalin.

Por pas një paraqitjeje të shkurtër kundër Brighton, Gabriel u rikthye në formacionin titullar për përballjen e kryesit me Aston Villan, duke shënuar një gol te fitorja e thellë 4-1 kundër rivalëve për titull.

Lineker beson se cilësitë e Gabrielit në të dyja zonat e bëjnë atë mbrojtësin qendror më të spikatur në futbollin botëror aktual.

“Gabriel, në veçanti, është një forcë, apo jo?”, tha ish-lojtari i Anglisë për programin “The Rest Is Football”.

“Po flisja me Harryn (djalin e Lineker) mbrëmë kur po shikonim ndeshjen (kundër Villas) – nëse do të duhej të zgjidhje një mbrojtës qendror nga futbolli botëror, për momentin mendoj se do të zgjidhja Gabriel”, tha ai tutje.

Duke lavdëruar formën e tij aktuale, Alan Shearer shtoi: “Ajo dëshira për të qenë në fund të topave që hyjnë në zonë, nga goditjet standarde, në të dyja zonat është e jashtëzakonshme. Nuk është rastësi numri i herëve që topi përfundon tek ai, si kur mbron, ashtu edhe kur duhet të sulmojë në këndin e vet. Është një aftësi dhe teknikë fantastike që të kesh atë që ka ai në të dyja zonat, është e mahnitshme”.

Gabriel është një nga disa lojtarë të Arsenalit që janë rikthyer në formë të plotë javët e fundit, duke i dhënë skuadrës një shtytje të nevojshme për muajt vendimtar në garën për titull.

Bashkëkombësi i tij brazilian, Gabriel Jesus, gjithashtu shënoi kundër Villas, goli i tij i parë pas një periudhe të gjatë jashtë për shkak të një dëmtimi serioz në gju.

Micah Richards mendon se sulmuesi mund të bëjë ndryshimin në garën për titull, e cila po bëhet një duel kryesisht mes Arsenalit dhe Manchester Cityt.

“Ai duket i mprehtë sërish, mund të bëjë diferencën mes Arsenalit që fiton kampionatin ose jo”, tha Richards.

“E kam parë shumë te City dhe nuk ka qenë ndonjëherë figura kryesore, por bën shumë për ekipin që ndoshta nuk vihet re. Puna e tij, presioni, aftësia për të krijuar shanse vetë edhe pse nuk është gjithmonë klinik. Kur shkoi për herë të parë tek Arsenal, ishte i pabesueshëm, i pamposhtur në disa momente. Pastaj u dëmtua dhe kur u rikthye nuk ishte i njëjti. Pasi pësoi një dëmtim tjetër, po gjente ritmin sërish. Por tani, me opsione të ndryshme dhe pa pasur nevojë të mbështetet në të për 90 minutat e plota, ka Havertz, ka Gyokeres, kështu që Arteta mund të menaxhojë minutat e tij dhe të nxjerrë më të mirën prej tij kur është në fushë. Dhe kjo është arsyeja pse mendoj se ai mund të bëjë diferencën. Ai ka më shumë cilësi se Gyokeres. Ende po gjen ritmin, por këtë sezon, Gyokeres ka pasur raste të mëdha dhe nuk i ka shfrytëzuar, ndërsa Jesus është mjaft i aftë për të shfrytëzuar ato shanse. Havertz është rikthyer gjithashtu, kështu që të kesh këto tre opsione mund të bëjë ndryshimin”, tha ai.

Arsenal do të përpiqet të regjistrojë pesë fitore radhazi të shtunën mbrëma kur udhëtojnë për të përballuar Bournemouthin në formë të dobët në “Vitality Stadium”.