Dalin pamjet e incidentit mes Zemajt dhe një qytetari (VIDEO)

“Gënjen nëna dhe gruaja jote”- Avokati i qytetarit të dhu*nuar nga deputeti në Kosovë ‘zbërthen’ zanafillën e sherrit

Liridon Kutllovci, avokati i qytetarit të dhunuar nga deputeti i LDK-së në Kosovë, Armend Zemaj, ka dhënë versionin e tij të ngjarjes.

Përmes një deklarate për mediat, Kutllovci shprehet se ngjarja ka ndodhur teksa qytetari i dhunuar ishte duke kaluar me gruan e tij pranë deputetit, duke iu drejtuar këtij të fundit me fjalët “Të gjithë jeni njësoj, vetem gënjeni”, përcjell A2 CNN.

Sipas avokatit, kjo deklaratë e klientit të tij ka ardhur si pasojë e frustrimit qytetar në lidhje me gjendjen politike e ekonomike të vendit.

Ai shtoi se pas kësaj deklarate, deputeti Zemaj ka reaguar ashpër me fyerje dhe dhunë fizike në drejtim të klientit të tij, i cili sipas avokatit, ruajti qetësinë dhe thirri policinë për ndihmë.

Deklaratë:

Unë, Avokat Liridon Kutllovci, në cilësinë e mbrojtësit të qytetarit të sulmuar sot nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, z. Armend Zemaj, sqaroj se ngjarja ka ndodhur si vijon:

Gjatë ditës së sotme, z. Zemaj ka qenë duke dhënë një intervistë publike, ndërsa klienti im, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka kaluar pranë dhe i është drejtuar deputetit me fjalët: “Të gjithë jeni njësoj, vetem gënjeni” dhe kjo ka ardhur si pasojë e frustrimit qytetarë në lidhje me gjendjen politike e ekonomike të vendit.

Në vend që deputeti të ruante qetësinë dhe etikën që i takon një përfaqësuesi të Kuvendit të Republikës, ai është kthyer dhe i është drejtuar qytetarit me fjalët fyese: “Gënjen nëna dhe Gruaja juaj”

Ky fjalor i papranueshëm është përdorur në prani të bashkëshortes së qytetarit.

Pas rreth 20 sekondash, deputeti Armend Zemaj e ka sulmuar fizikisht klientin tim me grusht, pa asnjë provokim tjetër nga ana e tij. Klienti im ka reaguar në mënyrën më të moderuar të mundshme, pa ushtruar asnjë formë dhune dhe menjëherë ka thirrur policinë, duke demonstruar vetëpërmbajtje dhe respekt për rendin ligjor.

Ky akt përbën sjellje të papranueshme dhe të dënueshme ligjërisht, veçanërisht kur vjen nga një deputet i Kuvendit të Kosovës që ka për detyrë të japë shembull qytetarie dhe respekti ndaj ligjit.

Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që ky rast të mos mbetet pa përgjegjësi dhe që dinjiteti i qytetarit të mbrohet plotësisht.

Me respekt

Av Liridon Kutllovci

+383 44 370 180