Gërxhaliu: Kosovës i mungon inspektoriati aktiv i tregut, rregullat e çmimit i diktojnë tregtarët dhe jo institucionet

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, vlerëson se rritja e çmimeve të produkteve të konsumit në Kosovë për 2.9 për qind në mars, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është një rritje shumë e madhe.

Gërxhaliu ka thënë se ekonomia sot është shndërruar në një zhvillim organik pasi sipas tij qasja institucionale shumë më tepër po dëmton sesa që po ndihmon.

“Në qoftë se bëhet një krahasim mes të njëjtës periudhë të vitit 2024-2025 vërtetë është një rritje çmimesh shumë e madhe po ashtu edhe në këta muajt e vitit 2025 vërhet një rritje prej 2.9% dhe nëse bëhet një analizë e strukturës së ngritjes së çmimeve janë produkte esenciale që janë përditshmëri e realitetit kosovar. Sot ekonomia ka mbetur shumë më tepër në mëshirë të komunitetit të biznesit dhe është shndërruar në një zhvillim organik sepse që cdo qasje institucionale shumë më tepër po dëmton sesa që po ndihmon”, ka deklaruar ai në emisionin “Info Nata”.

Sipas Gërxhaliut Kosovës i  mungon një inspektoriat aktiv i tregut dhe ka thënë se teorinë e çmimeve apo rregullat e çmimit i diktojnë apo dirigjojnë tregtarët.

“Derisa sot qytetarët e Kosovës ballafaqohen me një ngritje të cmimeve me probleme të shumta politike me një imazh jo të mirë në aspektin ndërkombëtar dhe të jemi pa qeveri dhe të bëhet kjo luftë për pushtet dhe jo për qytetarët vërtetë është dicka që e ngulfat perspektivën  e Kosovës dhe besimin se në Kosovë do të vijnë ditë më të mira”, është shprehur Gërxhaliu.

Çmimet e produkteve të konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje 2.9 për qind në mars, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, inflacioni mujor ishte 0.8 për qind në muajin mars.

Rritje të çmimeve në mars kanë shënuar kafeja, çaji dhe kakaoja me 17.1 për qind, perimet 8.7 për qind dhe mishi me 8.3 për qind. Ngritje të çmimeve pati edhe buka dhe drithërat me 2.1.