Alexander Sorloth ka qenë hero i ndeshjes për Atletico Madrid në javën e fundit të sezonit në La Liga, duke realizuar një “hat-trick” pas hyrjes nga stoli dhe duke i dhënë fitoren bindëse 4:0 ndaj Girona.
Ndeshja e zhvilluar mesditën e të dielës ka pasur një pjesë të parë dinamike, me Atletic që ka krijuar më shumë raste, por pa arritur të finalizojë.
Julián Alvarez ka qenë më i rrezikshmi në këtë pjesë, por është ndalur dy herë nga pritjet e portierit Vladyslav Krapyvtsov.
Trajneri Diego Simeone, i cili synonte fitoren e shtatë në nëntë përballjet direkte ndaj trajnerit të Girona, Míchel, nuk ka bërë ndryshime në pushim, edhe pse skuadra kërkonte freski.
Vendimi për të pritur është shpërblyer në pjesën e dytë, kur në minutën e gjashtëdhjetë ka futur në fushë djalin e tij Giuliano Simeone dhe norvegjezin Sorloth, i cili e ka ndryshuar tërësisht rrjedhën e lojës.
Vetëm gjashtë minuta pas inkuadrimit, Sorloth e ka zhbllokuar rezultatin në minutën e gjashtëdhjetë e tetë, pas një aksioni që ka nisur me Alvarez, që ka vazhduar me De Paul dhe ka përfunduar me norvegjezin që e ka dërguar topin në rrjetë për herën e tetëmbëdhjetë këtë sezon.
Girona, që tashmë e kishte të sigurt përfundimin e saj më të dobët në La Liga që nga rikthimi në elitë para tre vitesh, nuk ka reaguar.
Në minutën e tetëdhjetë e shtatë, Clement Lenglet e ka dyfishuar rezultatin pas një gabimi të portierit mysafir, ndërsa Sorloth e ka kompletuar “hat-trick” me dy gola të tjerë në minutat 90’ dhe 90+3’.
Me këtë fitore, Atletico Madrid e mbyll sezonin në vendin e tretë me 76 pikë, pas Barcelonës që ka 85, ndërsa Girona gjendet në vendin e shtatëmbëdhjetë me 41 pikë, duke përfunduar sezonin pranë zonës së rrezikut./rtk
Të tjera
Përmes Viberit po kërkohen para në emër të Policisë së Kosovës – një qytetar dërgon 1000 euro
Kandidimi im është vlerësuar si garancë e fitores në Mitrovicë
Aktivisti konservator Charlie Kirk vr*itet në Utah, Trump konfirmon lajmin