Gjendet trupi i pajetë i Rrahim Latifit që kërceu nga ura e Ujmanit

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë të ditur në pasditen e së martës se është gjetur trupi i pajetë i një 33-vjeçari në Liqenin e Ujmanit, i cili kishte kërcyer në të dy ditë më parë.

Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Përmes një postimi në Facebook, FSK-ja ka thënë se operacioni është zhvilluar në koordinim me Policinë e Kosovës, misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.

“Trupi u është dorëzuar autoriteteve për procedurat e mëtejme hetimore”, është thënë mes tjerash në Facebook.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Më herët gjatë ditës, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se FSK-ja u angazhua në mbështetje të autoriteteve civile.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK-së kanë filluar operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejt të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes”, shkroi Maqedonci në Facebook.

Ndërkaq, gjatë një prononcimi për media në Ujman, drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Genc Metaj, tha se kjo agjenci një ditë më parë ka parashtruar kërkesën për angazhimin e FSK-së në operacionin e kërkimit.