Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, po e monitoron nga afër situatën e ujit të pijes në të gjithë territorin e Kosovës pas reshjeve të fundit të shiut, transmeton KosovaPost.
Sipas IKSHPK-së, përveç marrjes së mostrave të rregullta dhe të jashtëzakonshme të ujit dhe analizave laboratorike, instituti është në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë rajonale të ujësjellësit, me qëllim që qytetarët të furnizohen sa më shpejt me ujë të sigurt për pije.
Sot, më 7 janar 2026, gjendja e furnizimit me ujë të pijes paraqitet si në vijim:
Rajoni i Prishtinës
Fabrikat e ujit në Shkabaj dhe Bivolak aktualisht nuk janë funksionale për shkak të turbullirës së lartë të ujit në hyrje të fabrikave. Ndërkohë, sistemi i ujit në Graçanicë/Badovc dhe ai në Albanik/Batllavë po funksionojnë normalisht. Uji në rrjet po monitorohet vazhdimisht dhe, për momentin, nuk ka probleme me cilësinë e ujit të pijes.
Rajoni i Prizrenit
Burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit është lëshuar vetëm për nevoja sanitare dhe higjienike, por nuk konsiderohet i sigurt për pije. Burimet e tjera, si Cvilen dhe Soc, janë të përdorshme për konsum.
Në Suharekë dhe Malishevë, uji i rrjetit është jashtë përdorimit për pije, ndërsa në Dragash deri më tani nuk janë raportuar probleme me ujin e pijes.
Rajoni i Gjilanit
Në qytetin e Gjilanit, uji i pijes është në rregull dhe i sigurt për konsum.
Në Kamenicë, konkretisht në fshatin Berivojcë, janë vërejtur nivele të rritura të nitrateve, ndaj qytetarët janë udhëzuar të mos e përdorin ujin për pije.
Në komunën e Vitisë, përdorimi i ujit është ndërprerë për shkak të turbullirës.
Rajoni i Pejës
Pas reshjeve të shiut, turbullira janë shfaqur në disa burime uji. Në Deçan dhe në zonën e Jarinës në Klinë, furnizimi me ujë është ndërprerë që nga dita e djeshme, ndërsa për nevoja emergjente janë vënë në përdorim puset ekzistuese.
Në komunën e Pejës, është vërejtur turbullirë në burimin e Drinit të Bardhë në Radac, por sot situata është përmirësuar dhe furnizimi me ujë vazhdon normalisht.
Rajoni i Ferizajt
Sipas raportimeve, gjendja e ujit të pijes në Ferizaj është brenda standardeve dhe uji konsiderohet i sigurt për pije.
Rajoni i Gjakovës
Furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova është i sigurt për konsum human. Analizat laboratorike tregojnë se uji nuk përmban baktere të dëmshme. Megjithatë, probleme vazhdojnë të jenë të pranishme në disa burime lokale si Rekë e Keqe, Demjan, Opterushë, Hoqe e Madhe dhe Zaqishtë, ku uji nuk rekomandohet për pije.
Rajoni i Mitrovicës
Sipas informatave nga KRU Mitrovica, uji ende nuk është dhe nuk do të lëshohet për pije për një periudhë të caktuar, pasi turbullira e madhe e ujit nuk mund të trajtohet në mënyrë adekuate. Si pasojë, uji aktualisht nuk është i sigurt për konsum human.
Rekomandimet e IKSHPK-së
IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar për shëndetin e tyre. Qytetarëve që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur u rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative të sigurta.
Po ashtu, rekomandohet që ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet nëse ka qenë në kontakt me ujin e shiut, si dhe të ndiqen udhëzimet zyrtare të institucioneve përkatëse në secilën komunë.



Të tjera
Më futen thikë pas shpine, bllokova një koalicion parazgjedhor
Ronaldo realizon golin e 958 në karrierë, Al Nassr ngushton disavantazhin
Frika nga Coronavirusi është një infeksion mendor, a mund ta luftojmë?