Zyrtari i Bashkimit Evropian, S.Sh që u plagos të martën mbrëma në Gjakovë, po vazhdon të trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK.
Gjendja e tij është stabile dhe po monitorohet nga mjekët. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci.
“I njëjti vazhdon të jetë në trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe gjendja e tij është stabile”, tha Kolegci.
Zyrtari i BE-së u sulmua me mjet të mprehtë të martën në mbrëmje në qytetin e Gjakovë, ku si pasojë ka pësuar lëndime në kokë, qafë dhe gjoks.
Në ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar nisjen e hetimeve për rastin, ndërsa bashkëpunimi po shtrihet edhe me njësitë policore për të zbardhur plotësisht rrethanat.
“Nga momenti kur e ka pranuar rastin në trajtim, ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike”, kanë deklaruar të mërkurën nga Prokuroria Speciale.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është shprehur e tronditur për ngjarjen, dhe i ka uruar rikuperim të shpejtë dhe të plotë zyrtarit të saj.
Rasti është duke u hetuar si vrasje e rëndë në tentativë kurse motivet e këtij sulmi mbeten ende të paqarta.



Të tjera
Ndikimi i Muriqit në skuadër më i madh se i Mbappes e Haalandit
Nga një vend i bombave është shndërruar në një hapësirë ku jetohet qetësisht
OSBE dënon gjuhën seksiste ndaj Matoshit: Retorikë kundër standardeve