Gjërat kanë filluar të lëvizin për mirë në KB Prishtina – Ekonomia Online

Gjërat kanë filluar të lëvizin për mirë në KB Prishtina

Tifogrupi “Plisat” ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Klubin e Basketbollit Prishtina, duke bërë të ditur se situata në klub ka nisur të ndryshojë pozitivisht.

Në një postim, Plisat theksojnë se për shkak të interesimit të lartë të qytetarëve të Prishtinës dhe ndjeshmërisë së situatës, kanë ndjerë obligimin të informojnë opinionin publik.

“Pas zhvillimeve të fundit në Klubin e Basketbollit Prishtina, ndjejmë obligimin t’ju informojmë që më në fund gjërat kanë filluar të lëvizin për mirë”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, për arritjen e qëllimeve të vendosura është hasur në gatishmërinë e Bekë Berishës, të cilin e falënderojnë për bashkëpunimin.

“Për t’i arritur qëllimet tona kemi hasur në gatishmërinë e Bekë Berishës, të cilin e falënderojmë për bashkëpunimin me ne, duke hapur rrugë që Klubi të kalojë në duar të Plisave dhe njerëzve profesionistë”, thuhet më tej.

Plisat vlerësojnë se kjo gjendje profesionale ka munguar për një kohë të gjatë në këto ambiente, duke shprehur optimizëm për të ardhmen e sportit dhe të klubit.

“Sportit dhe qytetit të Prishtinës po i vinë ditë më të mira”, theksojnë ata, duke paralajmëruar se për detajet e tjera do të informojnë ditëve në vijim.

Tifogrupi dërgoi edhe një mesazh për të gjitha palët e përfshira dhe të interesuara. “Uniteti te Plisat është i pathyeshëm”, përfundon postimi.