Presidentja Osmani: Gjermania mbetet partner strategjik i Kosovës

Gjermania mbetet partner strategjik i Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.

Gjatë takimit, presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Rohde për angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar gjatë viteve të shërbimit në Kosovë, duke theksuar se roli i tij ka qenë i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Presidentja Osmani ritheksoi se Gjermania mbetet një nga partnerët strategjikë më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës, ndërsa vuri në pah rritjen e vazhdueshme të këtij partneriteti në fusha të ndryshme. Në veçanti, ajo nënvizoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, duke theksuar rolin e diasporës kosovare në Gjermani si një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy vendeve, njofton Presidenca.

Gjithashtu, Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, si dhe për ndihmën konkrete nëpërmjet projekteve zhvillimore në sektorë të ndryshëm.

Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Rohde suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve do të vazhdojë të thellohet edhe më tej në të ardhmen, thuhet në njoftim.