Gjykata e Apelit – Departamenti Special, ka refuzuar sot si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale dhe ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin e njohur si “Ukë Rugova I”, të datës 30 qershor 2023.
Sipas njoftimit, Apeli ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje procedurale dhe se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë ekzistencën e provave që do të vërtetonin fajësinë e të akuzuarve përtej çdo dyshimi.
Me këtë vendim, mbeten në fuqi lirimi nga akuzat për veprat penale: krim i organizuar (neni 283 paragrafi 2 KPRK) dhe kontrabandim me migrantë (neni 170 paragrafi 1 dhe 2 KPRK). Të liruar nga këto akuza janë Ukë Rugova, Izet Beqiri, Qefser Baholli dhe A.H.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur më parë të akuzuarit fajtorë vetëm për veprën penale të mbajtjes, kontrollit ose posedimit të paautorizuar të armëve (neni 374 paragrafi 1 të KPRK), duke i dënuar veç e veç me gjobë prej 6,000 eurosh, të cilën ata duhet ta paguajnë brenda 15 ditëve pas marrjes së aktgjykimit të prerë.
Në arsyetim, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë ka shqyrtuar të gjitha provat e administruara dhe ka dhënë arsye për çdo dëshmi të marrë, duke konstatuar se nuk ka prova që të vërtetojnë kryerjen e veprave penale për të cilat të akuzuarit ishin gjykuar.
Gjykata e Apelit thekson se nuk ka shkelje procedurale që do të justifikonin anulimin e aktgjykimit ose kthimin e çështjes në gjykatën e parë.
Me këtë vendim, çështja konsiderohet përfundimisht e mbyllur për të pandehurit e liruar nga akuzat për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.



Të tjera
Kjo është lista me 10 vendet më të vizituara në botë
KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të premten, shkak punimet në rrjet
Si ta fitoni besimin e bashkëbiseduesit, 8 këshilla