Hercegovinës më 29 maj anuloi ligjet për regjistrin e posaçëm dhe transparencën e punës së organizatave jofitimprurëse në Republikën Sërpska (RS) për moszbatimin e ligjeve dhe ndalimin e funksionimit të institucioneve jokushtetuese të Bonjës, si dhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të RS-së.
Kushtetuesja gjithashtu anuloi ndryshimet në Kodin Penal të këtij entiteti në Bosnje, me të cilat ishte përcaktuar një vepër e re penale: “mosrespektimi ose moszbatimi i vendimeve të institucioneve apo organeve të RS-së”.
Kuvendi Popullor i RS-së kishte miratuar një ligj që synonte të kontrollonte punën e organizatave joqeveritare, por Gjykata Kushtetuese e Bosnjës vlerësoi se ai ishte “pothuajse identik në përmbajtje” me Ligjin për agjentët e huaj në Rusi, të cilin e ka kundërshtuar Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës në vendimin e saj konstatoi se kategoritë “organizata jofitimprurëse”, “agjentë të huaj” dhe “veprimtari dhe aktivitete politike” janë formuluar tepër gjerësisht.
“Kjo u mundëson autoriteteve publike që çdo aktivitet të organizatave të shoqërisë civile ta cilësojnë si të ndaluar dhe ta sanksionojnë”, theksoi Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, duke shtuar se si sanksione janë paraparë ndalimi i veprimtarisë dhe përgjegjësia penale e personave përgjegjës.
Sa i përket Ligjit të entitetit të RS-së për moszbatimin e ligjeve dhe ndalimin e funksionimit të institucioneve jokushtetuese të Bonjës, Gjykata Kushtetuese vuri në dukje se ky ligj përjashton plotësisht zbatimin e Ligjit për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës, Ligjit për Agjencinë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), Ligjit për Gjykatën e Bosnjës dhe Ligjit për Prokurorinë e Bosnjës. Edhe ky ligj u shpall i pavlefshëm.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës deklaroi se “kthimi” i kompetencave te entitetet, të cilat më parë janë përcaktuar si kompetenca të nivelit shtetëror të Bosnje e Hercegovinës, “nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnjës”, por theksoi se “për këtë çështje ka kompetencë ekskluzive Kuvendi i Bosnje e Hercegovinës”.
Gjykata theksoi se me atë ligj “de facto dhe de jure mohohet sovraniteti i shtetit të Bosnje e Hercegovinës në një pjesë të territorit të saj dhe kompetencat në fushën e drejtësisë dhe sigurisë”.
Për shkak të miratimit të atij ligji, Prokuroria e Bosnjës ka hapur një hetim ndaj udhëheqjes së entitetit të RS-së për minim të rendit kushtetues të Bosnjës, dhe ndaj tyre është lëshuar fletarrestim për shkak të mosparaqitjes në Gjykatën e Bosnjës, ndërsa u janë shqiptuar edhe sanksione ndërkombëtare.
Sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal të RS-së dhe përcaktimit të “mosrespektimit ose moszbatimit të vendimeve të institucioneve apo organeve të RS-së” si vepër penale, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës theksoi se dispozita e kontestuar është formuluar aq gjerësisht, saqë parashikon përgjegjësi penale për moszbatimin e çdo vendimi të çfarëdo institucioni apo organi të RS-së, pa marrë parasysh se cilat vlera shoqërore janë të rrezikuara në rastin konkret.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjës nënvizoi se nga dispozitat e kontestuara rezulton se të gjitha vendimet e të gjitha organeve dhe institucioneve të RS-së janë të detyrueshme, pavarësisht nëse janë të formës së prerë, kushtetuese apo të ligjshme.
“Së fundi, me dispozitën e kontestuar vendoset një supremaci e vendimeve të entitetit RS-së mbi vendimet e organeve dhe institucioneve shtetërore, të cilat në rendin juridik në aspektin e hierarkisë janë mbi organet e entitetit, dhe rregullohet çështja e sjelljes së personave të punësuar në institucionet e Bosnjës, çka është kompetencë ekskluzive e nivelit shtetëror”, u tha në vendimin e Gjykatës, që anuloi këto ndryshime ligjore.
Kuvendi Popullor i RS-së i miratoi ligjet e kontestuara pas aktgjykimit jo të formës së prerë ndaj presidentit të RS-së, Millorad Dodik.
Dodik u shpall fajtor në shkurt për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, si dhe për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidti i kishte anuluar më parë.
Me këto ligje synohej të pengohej zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të lartë në territorin e RS-së, të cilët më herët kishin rrëzuar ligje të miratuara nga parlamenti i entitetit, që lidhen me regjistrimin e pasurisë shtetërore në pronësi të entitetit apo me ligje për festat zyrtare.
Avokati i Dodikut dhe Prokuroria e Bosnjës janë ankuar ndaj aktgjykimit, ndërsa Këshilli i Apelit e ka caktuar fillimin e rigjykimit më 12 qershor, pas së cilës do të dihet edhe aktgjykimi përfundimtar.
Të tjera
Zbulime të reja arkeologjike në Kastërc të Suharekës
Ekstradohen dy të dyshuar nga Shqipëria për në Kosovë të cilët kishin urdhër arrest ndërkombëtar
Prokuroria ndalon 10 personat e arr*estuar në Prishtinë për dr*ogë dhe ar*më