Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar se Gjykata Speciale nuk do të duhej të ishte themeluar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka kryer krime dhe se lufta e saj ishte e drejtë dhe çlirimtare, transmeton KosovaPost.
Në një postim në Facebook, Durmishi ka theksuar se UÇK dhe pjesëtarët e saj luftuan për liri dhe çlirim, ndërsa Serbia, sipas tij, ka kryer krime kundër njerëzimit dhe gjenocid mbi popullin e Kosovës.
Ai ka deklaruar se lufta e UÇK-së u zhvillua në territorin e Kosovës kundër një agresori, i cili, sipas tij, ka kryer krime makabre duke vrarë dhe masakruar pleq, gra dhe fëmijë.
Durmishi e ka cilësuar Gjykatën Speciale si të padrejtë që në zanafillën e saj, duke shtuar se çlirimtarët e Kosovës nuk do të duhej të gjykohen, pasi lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe çlirimtare.
Sipas ministrit në detyrë, po të ishte dëgjuar zëri i kundërshtarëve të kësaj gjykate në kohën e themelimit të saj, sot nuk do të kishte, siç tha ai, prokurorë që deformojnë historinë dhe të vërtetën e luftës së Kosovës.
Ai rikujtoi se kishte qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale para krijimit të saj, kundër edhe në momentin e themelimit dhe se vazhdon të jetë kundër edhe sot, duke shtuar se deputetët që votuan pro krijimit të saj do të duhej të pendoheshin dhe të kërkonin falje.



Të tjera
Truri ka marrëdhënie me ushqimet e kripura
Katër filxhanë kafe në ditë mbrojnë zemrën tuaj
Caktojuani fëmijëve orarin përmes kësaj metode kreative