Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar padinë e Rrjetit të Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita” kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), me të cilën kërkohej shfuqizimi i ndalimit të shamisë së kokës (mbulesës islame) në shkolla sipas Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014. Paditësja pretendonte se ndalimi i bartjes së shamisë në shkolla cenonte të drejtat kushtetuese të vajzave për lirinë fetare dhe se kufizimet e tilla mund të vendoseshin vetëm me ligj.
Gjykata ka vlerësuar se MASHTI ka kompetencë të qartë ligjore për të përcaktuar rregulla për sjelljen e nxënësve dhe uniformën shkollore, sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional. Ajo ka theksuar se kufizimet e lirisë fetare janë të pranueshme në një shoqëri demokratike për të ruajtur harmoninë dhe neutralitetin e institucioneve arsimore, duke u mbështetur edhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, thuhet në njoftimin zyrës për informim të Gjykatës Supreme.
Si rezultat, dispozitat e Udhëzimit Administrativ që ndalojnë bartjen e çdo veshjeje tjetër përveç uniformës shkollore konsiderohen të ligjshme dhe brenda kompetencës së ministrisë. Gjykata Supreme ka përfunduar se rregullat nuk tejkalojnë autorizimet e dhëna nga ligjdhënësi dhe janë në përputhje me ligjin dhe hierarkinë e akteve normative.



Të tjera
Nis ndërtimi i shtëpisë së ATK-së për rajonin e Mitrovicës në veri
Njohja e Kosovës nga Siria, dëshmi e bashkëpunimit me aleatët
I jemi mirënjohës përpjekjeve të suksesshme të Presidentes Osmani