13.01.2026 – 13:08
Rozeta Hajdari pas seancës gjyqësore: Ndihem krejtësisht e pafajshme sepse është proces tendencioz

Ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari pas seancës gjyqësore për skandalin me Rezervat Shtetërore për të cilën tashmë ka një aktakuzë, ka thënë se ndihet krejtësisht e pafajshme, duke e quajtur procesin si tendencioze nga ana e Prokurorisë.
Ajo madje insiston se kanë vepruar drejtë me cështjen e rezervave shtetërore, por shkelje thotë se po bënë Prokuroria Speciale.
Më e rëndësishmja që dua të theksoj është se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të brengosen për konsolidimin e rezervës shtetërore që e kemi rritur në Qeverinë Kurti 2, për shumë fish në kohën më të vështirë kur ishte rezerva shtetërore e pa konsoliduar dhe jo në funksion të përgjigjes ndaj qytetarëve. Në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur me shpërthimin e luftës në Ukrainë dhe në kohën më të vështirë, kur nuk kishte eksporte të produkteve bazike në vendin tonë. Pra, produkteve bazike, jetike për jetesën e qytetarëve tanë. Në këtë kohë të vështirë ne siguruam dhe konsoliduam rezervën shtetërore. Sa është e rëndësishme të përmendi se për këtë proces që është tejet e rëndësishme për qytetarët tanë, për sigurinë e popullit tonë, megjithatë prokuroria shkeli ligjin, siç e kam theksuar dhe më herët përkundër që ne kemi pasë dhe jemi në proces gjyqësor me operatorët që nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre dhe është proces i hapur gjyqësor me këta operatorë. Tërësisht Prokuroria Speciale nuk po përfill ligjin, dhe po vazhdon pa përfillur procedurat e ligjit për rezervat shtetërore dhe informacionit të klasifikuar”, tha ajo.
Nis gjykimi për rezervat shtetërore, seanca mbyllet për publikun
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot po mbahet seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, ku në cilësinë e të akuzuarës është edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.
Gjyqtari i rastit, Avni Syla, vendosi që seanca të jetë e mbyllur për publikun për shkak të ruajtjes së informacioneve të klasifikuara, raporton koha.net.
Të pyetur se a duan që rasti të vazhdojë me seanca të hapura apo të mbyllura avokatët e të akuzuarve kërkuan që të mos vazhdohet seanca pasi që thanë se në dosjen e Prokurorisë ka dokumente të klasifikuara.
Avokatët kërkuan që, para se të vazhdojë seanca, të nisë procesi i deklasifikimit të dokumenteve.
Aktakuza ndaj Hajdarit ishte ngritur më 11 nëntor të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, që e akuzon atë për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Dështimi i mëparshëm i seancës fillestare
Seancë fillestare ishte caktuar edhe më 10 dhjetor të vitit të kaluar, por kishte dështuar për shkak se Hajdari dhe avokati i të akuzuarit tjetër, Irfan Lipovica nuk ishin të pranishëm.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, kishte thënë se Hajdarit i ishte dërguar ftesa për pjesëmarrje përmes postës, por nuk kishte marrë përgjigje nëse ajo e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.
Aktakuza për rezervat shtetërore
Aktakuza pretendon se buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të të akuzuarve.
Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Që të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Ndërsa i akuzuari i katërt, Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen po ashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.
Ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, e ka cilësuar si “tendencë politike” ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, aktakuzën e ngritur kundër saj dhe tre të tjerëve për rastin e rezervave shtetërore.
Rezervat shtetërore
Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore, përfshirë Garën, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovicën, drejtor i departamentit për integrime evropiane.
Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë më 2023 u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Atëbotë, Hajdari deklaroi se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë hollësi, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Më vonë, ajo e akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Si dëshmitar për këtë rast është thirrur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.
Për rastin e rezervave shtetërore, Kurti i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.



Të tjera
Dy ditët e fundit 50% e konsumit u mbulua nga importi
Rama nderohet me medaljen më të lartë “Zayed” nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara: Krenari për Shqipërinë
KQZ vendos të rinumërohen 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit