Gjyqtarja Edita Çanta, është përjashtuar nga rasti i pronës milionëshe në Veternik, ku ishte gjyqtare e procedurës paraprake. Përjashtimi i saj u bë pas kërkese se familjes Sadiku, e cila pretendon të jetë e dëmtuar në këtë rast.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, gjyqtaren Çanta e ka përjashtuar me arsyetimin se tashmë ka një kallëzim penal ndaj saj nga familja Sadiku dhe në të njëjtën kohë, edhe ajo ka bërë një kallëzim penal ndaj djalit të palës në këtë rast Nexhat Sadikut- Ergyn Sadiku, me pretendimet për kërcënim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Duke qenë se këto rrethana kanë shndërruar marrëdhënien ndërmjet gjyqtares dhe palës së dëmtuar si palë të mundshme në një proces tjetër gjyqësor, kjo ka rezultuar në krijimin e një situate të pashmangshme të konfliktit të interesit, e cila objektivisht cenon parimin e paanshmërisë dhe integritetit në ushtrimin e funksionit gjyqësor”, thuhet në arsyetim.
Prona rreth 3 hektarëshe, për të cilën “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 13 shtator 2021, dhe kishte zhvilluar debat në emisionin “Tempus”, dyshohet se iu është marrë Nexhat dhe Gursel Sadikut përmes mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara. Për këtë po hetoheshin Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi, ndërsa pas zgjerimit të hetimeve edhe Melihate Gashi.
Gjyqtarja Çanta, më 11 shtator 2025, kishte urdhëruar ndalimin përfundimtar të pronës rreth 3 hektarëshe në Veternik, pasi Apeli e kishte për herë të pestë çështjen e sekuestrimit të pronës milionëshe. Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 maj 2024 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar.
Kurse, pas zgjerimit të hetimeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngrirë edhe 7 hektarë tokë në Veternik që dyshohet se janë fituar me vepër penale.
Gjykata me vendimin e 11 shtatorit kishte ndaluar shitjen, blerjen, qiranë dhe çdo formë tjetër ku shtrihet pjesa e ngastrës më numër 10433-0. Këtë vendim thuhej se do ta ekzekutonte Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në afat prej 15 ditësh. Ndërsa, Policia e Kosovës obligohej që ta zbatojë këtë urdhër ndalues, duke u kujdesuar për pasurinë e sekuestruar.
Por, ky vendim, sipas familjes Sadiku nuk po zbatohej me urdhër të vetë gjyqtares Edita Çanta, për çka edhe kanë bërë kallëzim penal dhe kërkesë për përjashtim të saj. Sipas tyre, gjyqtarja përmes telefonit ka ndaluar Policinë e Kosovës që të ekzekutohet urdhri dhe kjo evidentohet në vetë një e-mail zyrtar të Policisë ku në raport zyrtar theksojnë se citohet: “Sa i përket kësaj kemi kontaktuar me gjyqtaren e procedurës paraprake Edita Çanta e cila pas konsultimit lidhur me këtë çështje na udhëzon dhe sugjeron se banoret qe kanë blerë banesë nuk mund të iu mohohet e drejta që të shfrytëzojnë banesën e tyre vetëm se nuk i lejohet që të kryejnë tjetërsime në objekt…“.
Më tej, sipas ankesës, gjyqtarja në njërën anë përmes vendimit obligon Policinë në zbatimin e këtij urdhri dhe në anën tjetër përmes telefonit udhëzon Policinë që mos të zbatojë urdhrin, duke dhënë sipas tyre, udhëzim çorientues.
Për këtë, ata kanë paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, me pretendime për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Arsye tjetër, sipas palës se pse duhej të përjashtohej gjyqtarja Çanta, ishte pasi kjo e fundit e ka raportuar në polici djalin e të dëmtuarit Nexhat Sadiku, Ergyn Sadikun, kinse i njëjti e ka kanosur me një e-mail, çka sipas tyre nuk përmban asnjë fjalë kërcënuese po thjeshtë është kërkuar respektimi i ligjit.
“Rrjedhimisht, e njëjtë nuk mund të jetë e paanshme dhe për këtë arsye e njëjta është dashur në bazë të gjitha që të kërkojë përjashtim nga lënda sepse tani me të dëmtuarin është palë në procedurën penale”, thuhet ndër të tjera në arsyetim të kërkesës, duke shtuar se pala e dëmtuar nuk ka pritje legjitime që mund të këtë vendosje të drejtë nga ana e gjyqtares.
Në anën tjetër, gjyqtarja Edita Çanta ka deklaruar se pas lëshimit të urdhrit ndalues përfundimtar, ka pranuar e-mail nga pala e dëmtuar në këtë çështje të procedurës paraprake, Ergyn Sadiku, i cili i është dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor, prokurorëve dhe mediave, sipas saj, ndër të tjera ka bërë interpretim të vendimit gjyqësor, duke e cilësuar si të kundërligjshëm dhe duke e etiketuar si të dyshimtë.
“…Duke e quajtur si person që veprimet e saj të cilat ndërlidhen me ushtrimin e profesionit të gjyqtares, i bën në koordinim të plotë me të dyshuarit dhe personat NN, në bashkëpunim me Prokurorin e rastit. Më tej ka shtuar se me rastin e pranimit të këtij emaili kërcënues, në drejtim të ushtrimit të funksionit të gjyqtares, ka ftuar organet e ndjekjes të ndërmarrin veprimet ndaj të njëjtit”, përshkruhet të këtë thënë gjyqtarja.
Më 10 tetor 2025, sipas këtij vendimi, janë paraqitur edhe hetuesit e Drejtorisë Rajonale, ku edhe gjyqtarja ka dhënë deklaratë lidhur me rastin e paraqitur.
“Në fund, ka shtuar se duke pasur parasysh faktet e deklaruara më sipër, ka konsideruar se është më së miri që e njëjta të përjashtohet nga gjykimi në këtë çështje të procedurës paraprake, së pari për shkak të sigurisë së saj dhe për shkak të interesave të drejtësisë sepse mund të ekzistojë konflikt interesi në këtë fazë të procedurës paraprake”, thuhet tutje në këtë vendim.
Mbi gjitha këto, kryetarja e Gjykatës ka vlerësuar se kërkesa për përjashtim është e bazuar sepse me nenin 38, paragrafi 3 të KPPRK-së, përcaktohet se “gjyqtari nuk mund ta procedojë çështjen juridike në qoftë se paraqiten rrethana që e vënë në dyshim paanshmërinë e tij”. Dhe me qëllim të shmangies së çdo situate që do ta vinte në pikëpyetje integritetin, paanshmërinë apo pavarësinë e gjyqtarëve, e në interes të përgjithshëm për rritjen e besimit te qytetarët se gjykatat janë objektive dhe të paanshme në gjykimin e çështjeve.
“Kryetarja e Gjykatës ka marrë vendim që gjyqtarja Edita Çanta, të përjashtohet nga gjykim dhe vendosja në këtë çështje dhe lënda t’i kalohet në punë gjyqtarit tjetër me qëllim që palës t’i ofrohet garanci për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, thuhet tutje në arsyetim.
Gjyqtari tjetër në këtë rast është caktuar përmes sistemit SMIL.
Të dyshuar dhe nën hetime për këtë pronë janë Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi. Hyseni i cili konsiderohet si pronar legjitim i pronës, gjendet ende në arrati. Pas zgjerimit të hetimve tashme po hetohet edhe Meligate Gashi. Këtë pronë, e kishte fituar tashmë e ndjera Zojë Hyseni, nëna e Ylber Hysenit i cili më pas është paraqitur si trashëgimtari i vetëm. Përmes Dhomave të Posaçme të Gjykatës Supreme, e ndjera Hyseni kishte fituar mbi 9 hektarë tokë, përmes dokumenteve që dyshohet se janë të falsifikuara.
“Betimi për Drejtësi”, kishte pyetur Prokurorinë Themelore në Prishtinë, se pse nuk kishte kërkuar urdhër ndalues përfundimtar për gjithë pronën e fituar prej 9 hektarësh, duke e ditur se veprat penale ndiqen ex-officio (sipas detyrës zyrtare).
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria është duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Në këtë fazë të procedurës nuk mund të japim më shumë informacione për shkak të natyrës së hetimeve”, është përgjigjur Prokuroria më 16 shtator 2025.
“Betimi për Drejtësi”, më 26 tetor 2024, kishte publikuar edhe hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”. Ndërsa, paraprakisht, më 6 prill 2024, kishte publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar, gjersa dëmi po rritej.
Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht gjykatësja e procedurës paraprake, Edita Çanta, më 18 dhjetor 2022, për herë të parë do të lëshonte urdhrin për sekuestrim të përkohshëm.
Por, pas një muaji, e njëjta gjyqtare kishe marrë aktvendim për refuzimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar. Kështu, rasti kishte shkuar edhe katër herë të tjera në Apel, e cila gjykatë kishte kthyer rastin në rivendosje, por Themelorja prapë kishte vendosur mos të lëshonte urdhër sekuestrues për këtë pronë.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” dhe diskutimi i zhvilluar në “Tempus”, do bënte që Prokuroria të trajtonte kallëzimin penal të bërë nga palët dhe të niste hetimet ndaj Ylber Hysenit, me dyshimin se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”, si dhe do kërkonte sekuestrimin e përkohshëm të pronës në Veternik, në të cilën veç kishin nisur punimet.
Ndërsa, më 6 prill 2024, “Betimi për Drejtësi”, ka publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë.
Kurse, “Betimi për Drejtësi” më 26 tetor 2024, publikoi hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, ku tregohej se si Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte vendosur t’ia falte besimin një prove të ardhë përmes postes “DHL Serbia”, duke injoruar përgjigjen zyrtare të ardhë përmes bashkëpunimit me ILECU.
Prokurorja Nebahate Salihu, këtë përgjigje zyrtare nuk e kishte përfshirë as në aktvendimin për pushimin e hetimeve. Ndërsa, zarfi i referohej kërkesës së Ministrisë se Drejtësisë. Kjo e fundit ka thënë se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje lidhur me këtë kërkesë, e cila shkon përmes zyrës se BE-së, njësoj edhe përgjigja.
Në këtë zarf të dërguar përmes rrugëve jozyrtare, kinse gjendej historiku i kësaj prone 9 hektarëshe dhe i referohej Kosovës Republikë, çka sipas palëve ngriste dyshimin për një falsifikim tjetër të radhës.
Më 29 tetor 2024, me një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, Danilo Radunoviq, përgjegjës i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan i Gjeodezisë në Serbi, ka thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me ketë dërgesë.
“Enti Republikan i Gjeodezisë-Departamenti i Arkivës dhe unë personalisht, nuk kemi asnjë lidhje me dërgesën e DHL që ju e përmendni, si dhe nuk e kemi njohuri se kush e ka dërguar”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë.
Po ashtu, në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë, thuhet se Enti Gjeodezik Republikan lëshon dhe dërgon dokumente vetëm në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe kjo nuk dërgohet përmes Postës “DHL”.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” tregon se si po hetohet edhe noterja Valdete Ademi që kishte noterizuar këto dokumente, e cila shihet se ka shoqëri me gruan e të dyshuarit Afrim Gashi, Melihate Gashin. Për Gashin, Njësia e Inteligjencës Financiare kishte rekomanduar Policisë që të hetohej për transaksione të dyshimta dhe evazion fiskal.
Në një foto ku noterja dhe Melihate Gashi shihen në shoqërimin e njëra-tjetrës, prokuroja që ka mbyllur rastin- Nebahate Salihu, kishte komentuar duke i dërguar një “lule të madhe”.
Prokurorja Salihu kishte refuzuar të përgjigjet se pse kishte mbyllur hetimet për këtë rast bazuar në një zarf.
“Përgjigjem me kohë. Ju kam tregu edhe herën e kaluar, se jam për ngutë, e kam një kërkesë atje. Më fal”, kishte thënë prokuroria Salihu.
Ndryshe, djali i Nexhat Sadikut, Ergyn Sadiku, i cili pretendon të jetë pronari i vërtetë i kësaj prone, thotë se arsyeja se po hasin në pengesa për të zbardhur këtë rast është se mbrapa të dyshuarve qëndrojnë njerëz të fuqishëm.
“Kemi gjetur fotografi që janë të komentuara në rrjete sociale mes anëtareve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj, fëmijët e tij bëjnë komente tek familja e Afrim Gashit, konkretisht i bëjnë komente bashkëshortes së Afrim Gashit, Melihate Gashit”, ka thënë Ergyn Sadiku.
Prokuroria e Apelit, pas ankesës së palëve, kishte kthyer rastin në rivendosje dhe ka treguar se si Themelorja të veprojë tutje.
Në këtë rast, pronarë të rreth 3 hektarë tokë pretendojnë të jenë Nexhat dhe Gursel Sadiku. Detajet nga hulumtimi, mund t’i gjeni: KËTU.
Pas hulumtimit “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, prokurorja Nebahate Salihu është përjashtuar nga rasti i pronës në Veternik-Prishtinë.
Ndërsa kishte reaguar edhe atëkohë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke thënë se ky rast është shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Kosovë.
Këtë pronë, Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se e kishin në posedim dhe e kishin punuar qysh nga viti 1938. Pasi kishin kuptuar se toka iu është marrë nga komuna, familja Sadiku kishte bërë padi në vitin 1984 për të vazhduar me disa procedura deri pas luftës. Në vitin 2010, kësaj herë në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, ata do bënin padi ndaj “Kosova Eksport” që përfaqësohej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Për dallim nga familja Sadiku, të cilët të drejtën e pronësisë për rreth 3 hektarë në gjykatën e kishin kërkuar qysh nga 1984, këtë parcelë përfshirë edhe parcelat tjera, në total 9 hektarë në “Veternik”, e kishte fituar Zojë Hyseni, 86 vjeçare.
Padia e 86 vjeçares e bërë tek më 9 dhjetor 2014 ishte trajtuar në kohë rekord ku më 14 shtator 2015, pra për vetëm 9 muaj e 6 ditë, iu ishte njohur e drejta e pronësisë. Aktgjykimi ishte marrë pak ditë para se të ndërronte jetë Zojë Hyseni, ndërsa Gjykata për vdekjen e saj ishte njoftuar tek në vitin 2019, pasi ky vendim ishte bërë i plotfuqishëm.
Në anën tjetër, padia e familjes Sadiku megjithëse ishte bërë para asaj të Hysenit, ajo u trajtua 7 vite pas, në vitin 2017. Madje, u trajtua nga po i njëjti Kolegj, i cili padinë e saj, e kishte hedhur poshtë në mungesë legjitimiteti të palëve.
Pas ankesës, më 2021 shkalla e dytë e Dhomës së Posaçme të Gjykatës se Supreme, kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe padinë e kishte refuzuar si të pabazuar mbi bazën se kjo çështje tashmë është çështje e gjykuar.
Pra, kolegjet vendosën për padinë e dytë, të bërë në vitin 2014 dhe jo për padinë e parë të ushtruar në vitin 2010. Zojë Hyseni të drejtën e pronësisë e kishte fituar në bazë të dokumenteve të viteve ’60-ta të nxjerra aso kohe në gjuhën serbe, për të cilat palët po ngrisin dyshime se të njëjtat ishin të falsifikuara.
Këto dokumente i kishte noterizuar noterja Valdete Ademi, e cila në deklaratën e saj në Polici kishte deklaruar se me përgjegjësi të plotë deklaron se ajo këto dokumente i kishte noterizuar nga origjinali dhe se ajo asnjëherë nuk noterizon diçka pa pasur në dorë origjinalin.
Megjithëse, sipas aktgjykimit të Gjykatës mbi bazën e së cilit Zojë Hyseni e kishte fituar pronën thoshte se, origjinali i tyre gjendej në arkivat përkatëse të Komunës së Prishtinës, e vërteta nuk qëndronte ashtu.
Palët Sadiku, privatisht kanë bërë një ekspertizë të dokumentit “Resenje Broj ”, të vitit 1961 e që sipas ekspertizës nga mostrat e analizuara vula nuk është e njëjtë me mostrat e marra të asaj kohe, si dhe nënshkrimi nuk është i zyrtarit që ka nënshkruar.
Për më tepër, palët kanë pretendime edhe për dokumente tjera, të cilat Kolegji i kishte marrë parasysh, e që sipas tyre datat e lëshimit të dokumenteve rezultojnë ditë vikendi.
Emri i të ndjerës Zojë Hyseni, dyshohet të jetë përdorur për një skemë të madhe mashtrimi, pikërisht nga djali i saj Ylber Hyseni. Ai në të gjitha dokumentet do paraqitej si përfaqësues i saj, e më pas edhe si trashëgimtari i vetëm.
Për këtë, do trashëgonte pronën milionëshe në Veternik, për të cilën nuk do vononte ta parcelizonte dhe shiste.
Për këtë rast, ishte lëshuar urdhërarrest për Ylber Hysenin i cili gjendej në arrati, ndërsa ishte arrestuar bashkëpunëtori i tij Afrim Gashi, i cili ishte i autorizuar nga Ylber Hyseni për të bërë shitblerjen e kësaj prone.
Për Afrim Gashin dhe gruan e tij Melihate Gashin, raport ka nxjerrë edhe Njësia për Inteligjencë Financiare, kur ka kërkuar të hetohen për transfere të dyshimta dhe shmangie nga tatimi.
Në anën tjetër, avokati Venhar Hana, i cili është edhe bashkëpronar në këtë pronë, u ndalua në qershor të këtij viti (2025) dhe iu caktua paraburgi pasi dyshohet për falsifikim të dokumenteve të pronës 4 hektarëshe të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), gjithashtu në Veternik. /BetimipërDrejtësi



Të tjera
Kreu i SPAK-ut në Kuvend: Kri*minelët shqiptarë bashkëpunojnë ngushtësisht me ata serbë e malazezë
Ndiheni vazhdimisht të lodhur, atëherë trupi ka nevojë për këto ushqime
Austria i ka qëndruar pranë Kosovës në çdo fazë kritike të shtetësisë