Konjufca: Ukshin Hoti me kurrizin drejt na mësoi e frymëzoi se si duhet atdheu

Glauk Konjufca ka 5 ditë për të propozuar qeverinë e re

Mandatarit Glauk Konjufca i kanë mbetur edhe 5 ditë afat që t’ia propozojë Kuvendit përbërjen e re qeveritare. Nominimi i Konjufcës për kryeministër nuk ka ndryshuar qëndrimin e partive parlamentare.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka afat deri më 19 nëntor që t’ia propozojë Kuvendit përbërjen e re qeveritare, për të parë nëse i ka votat e nevojshme për ta formuar ekzekutivin e ri.

Ndonëse, që ditën kur u caktua mandatar, Konjufca u bëri thirrje të gjitha partive parlamentare që t’i lënë anash inatet partiake dhe të votojnë për një Qeveri të përkohshme deri në prillin e vitit të ardhshëm, kur i skadon mandati presidentes aktuale Vjosa Osmani, deri më tani askush nuk ka dhënë ndonjë shenjë se do ta mbështesë këtë ide.

Nominimi i Glauk Konjufcës për kryeministër nga Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrimin e partive parlamentare.

Partia Demokratike , Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, e kanë bërë publik qëndrimin se nuk do ta mbështesin një qeveri të udhëhequr nga Konjufca dhe kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje.

Kryetari i dorëhequr i PDK-së, Memli Krasniqi, ka nënvizuar se Konjufca nuk i ka numrat dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, u deklarua se çështja e mandatarit të ri është veç taktikë për blerje të kohës nga  Vetëvendosje.

Ndërkaq kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka bërë publike se është kontaktuar nga zyra e Konjufcës për takim por nuk ka pranuar, meqë sipas tij, nuk ka pasur ndonjë propozim serioz./rtk