Guvernatori i BQK-së pret delegacionin e FED New York

Guvernatori i BQK-së pret delegacionin e FED New York

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti në takim një delegacion të lartë të Bankës së Rezervës Federale të New York-ut (FED), ku u diskutua bashkëpunimi i ndërsjellë dhe menaxhimi i llogarisë së BQK-së në FED.

 

BQK njofton se gjatë takimit, guvernatori Ismaili ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e ofruar nga FED, veçanërisht në menaxhimin e rezervave dhe ngritjen e kapaciteteve përmes trajnimeve dhe shkëmbimeve të përvojave.

Ai gjithashtu prezantoi zhvillimet makroekonomike dhe financiare në Kosovë, progresin në reformat sektoriale dhe institucionale, si dhe përmirësimet në qeverisjen e brendshme të BQK-së.

“Palët diskutuan për përdorimin e shërbimeve të investimit dhe menaxhimit të rezervave në FED New York, duke rikonfirmuar interesin për vazhdimin e bashkëpunimit. Guvernatori informoi edhe për veprimet e BQK-së në drejtim të integrimit financiar me Bashkimin Evropian, përfshirë përparimin drejt përfshirjes në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe zhvillimet në sistemin e pagesave të shpejta – TIPS Clone”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

U diskutua gjithashtu edhe për përparimet në krijimin e infrastrukturës për qendrat e depozitimit të letrave me vlerë (CSD), si dhe për zbatimin e standardeve të avancuara teknike, përfshirë Kodin QR dhe IBAN për institucionet financiare jobankare.

Delegacioni i FED New York, i udhëhequr nga Zëvendëspresidentja e Lartë dhe drejtuese e menaxhimit të llogarive të bankave qendrore, falënderoi Guvernatorin Ismaili dhe rikonfirmoi vazhdimin e bashkëpunimit në menaxhimin e llogarisë së BQK-së dhe avancimin e kapaciteteve profesionale.

Në përmbyllje, guvernatori Ismaili falënderoi Bankën e Rezervës Federale për bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushat strategjike të investimeve dhe zhvillimit të kapaciteteve të BQK-së.