Hadërgjonaj optimist para lojës me Sllovakinë dhe për kualifikim në Botëror – Ekonomia Online

Hadërgjonaj optimist para lojës me Sllovakinë dhe për kualifikim në Botëror

Kombëtarja e Kosovës i ka vazhduar sot përgatitjet për ndeshjen e së enjtes ndaj Sllovakisë.

Njëri prej futbollistëve që foli sot ishte Florent Hadërgjonaj, i cili u shpreh optimist për duelin me sllovakët dhe për kualifikimin historik të Kosovës në Botëror.

“Më i lumtur jam që jam kthyer me Kombëtaren, me djemtë këtu dhe si çdoherë e kemi atmosferën fantastike. E kam thënë edhe më herët, kjo ndeshje është, jo veç për mua, por edhe për krejt lojtarët, një ndeshje historike. Synojmë të arrijmë në finale dhe të shkojmë në Botëror. Është një lojë e jashtëzakonshme, jemi të motivuar maksimalisht dhe e kemi fokusin. Në ekip brenda e kemi një atmosferë shumë të mirë dhe besoj që ajo do të na ngritë sa më lart.”

“Me rezultate pozitive atëherë edhe vetëbesimi kthehet dhe ajo është parë në fushë, pa marrë parasysh se kush ka qenë kundërshtari, si në ‘Fadil Vokrri’, ashtu edhe në Slloveni apo në Suedi, kemi bërë lojëra të mira. Ajo që e ka ngritur nivelin besoj që ka qenë grupi. Jemi rikthyer më shumë së bashku, atmosfera është edhe më e mirë dhe gjithsecili po e ndien që ekipi është kah ngritet sa më lartë dhe po shihet në fushë se si secili po lufton për njëri-tjetrin dhe shpresoj që këtë ta kemi edhe ndaj Sllovakisë.”

“Personalisht ka qenë një ëndërr për mua të shkoj në një Botëror apo Evropian. E kemi pasur njëherë shansin ndaj Maqedonisë, kur kemi luajtur në gjysmëfinale dhe tash na erdhi shansi përsëri për të shkuar në Botëror. Është një shans i jashtëzakonshëm, besoj që e kemi merituar me paraqitjet që i kemi bërë. Deri këtu kemi ardhur si ekip, secili i ka meritat e veta dhe për ne është veç fokusi me e fitu gjysmëfinalen dhe tani ta shohim se çka po bëhet për finale.”