Halil Geci nuk kursen fjalët: Reagon fuqishëm ndaj kritikëve të Kurtit

Veprimtari Halil Geci ka reaguar ashpër përmes një shkrimi publik, duke akuzuar kundërshtarët politikë për shpifje, frikë dhe panik politik ndaj kryeministrit Albin Kurti. Ai ka thënë se sulmet ndaj Kurtit nuk janë analiza politike, por reagime të atyre që, sipas tij, kanë humbur pushtetin dhe mbështetjen e popullit.

Geci ka përdorur gjuhë të fortë, duke i quajtur kundërshtarët “mercenarë” dhe duke theksuar se fyerjet dhe akuzat ndaj Kurtit vetëm sa e kanë rritur mbështetjen elektorale për të. Sipas tij, opozita po vepron jashtë kornizave institucionale dhe po mbetet peng i gjuhës së urrejtjes dhe pazareve të vjetra politike.

Ai ka përfunduar se Kosova, sipas tij, është në rrugë të drejtë, ndërsa ata që sulmojnë Qeverinë po veprojnë nga frika dhe jo nga parimi politik.

Shkrimi i plotë:

Kur pushteti ju rrëshqet nga duart dhe nuk gjeni as pus e as ujë për ta shuar zjarrin që ua ka djegur bishtin, ju filloni të bërtisni. Arsyeja nuk është parimi, por frika. Britmat i bëni për t’ju dëgjuar gazdallarët që ju paguajnë me poste ose para, ndërkohë që populli ua ka treguar vendin; disa ua ka rrëzuar shpresën, ua ka ndërprerë rrugën dhe ua ka hequr mbështetjen.

Boll keni kullotur. Loja tashmë ka ndërruar dorë. Tani jam unë në fushë, ky “komunisti i rrahur dhe i sprovuar”, dhe me ndihmën e cërnagorit do t’ju çoj aty ku e meritoni. Parlamenti nuk është vend për lopë, ju vendin e keni në ahër. Dallimi? Lopët baglisin në këmbë, e ju ulur. Keni vetëm kaq dallim.

Disa nga ju shiten për një post deputeti, disa për pushtet ma të lartë ,disa thjesht nga zakoni. Për ta mbuluar zbrazëtinë morale, e quani veten “djathtistë”, ndërsa Kurtin e shpallni rus, grek, serb – çfarë t’ju teket.

Juve nuk ju ka mbetur tjetër veçse të bërtisni rreth Parlamentit, duke e quajtur Kurtin “mercenar”, të shitur te Serbia, Rusia, Greqia – çfarë t’ju leverdis. Kur mungon argumenti, shpifja bëhet armë; kur mungon pushteti, britma bëhet strategji.

E vërteta është e thjeshtë: Kosova nuk ka rrëshqitur, vetëm juve ju ka djegur bishti. Bota është mirë, Kosova po ngjitet lart ku e ka vendin. Ju mbetët peng i amanetit të Rankoviçit dhe pazareve të vjetra. Kur shteti nuk blihet, dhe pushteti nuk kthehet me pazare, mercenarët mbesin pa punë. Dhe kur mbesin pa punë, bërtasin.