Hamza: Qëndroj para jush, i gatshëm për t’ju udhëhequr

Hamza kritikon qeverinë: Përçarje dhe kokëfortësi që nuk funksionoi

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë ky nuk është fillim i një fushate të re politike, por fillim i një misioni.

“Ky nuk është fillim i një fushate të re politike. Ky është fillim i një misioni. I një misioni për ta rikthyer stabilitetin, për ta bashkuar shoqërinë dhe për t’i dhënë çdo familjeje në Kosovë një mundësi për jetë ma të mirë. Në këto vite, vendi ynë ka jetuar në pasiguri. Me shumë përçarje. Shumë improvizime. Shumë presion mbi supet e qytetarëve të zakonshëm”, ka thënë ai.

Hamza ka thënë se qytetarëve u është rënduar jeta me çmime më të larta, me furnizim të paqëndrueshëm me energji, me institucione në krizë dhe marrëdhënie të lënduara me partnerët tanë.

“Qytetarët janë lodhur nga politikat që ua kanë vështirësuar jetën. Janë lodhur nga kjo qeveri e papërgjegjshme. Nga kjo qeveri e paaftë ta udhëheqë vendin drejt mirëqenies. Kjo është arsyeja pse unë kandidoj për Kryeministër. Sepse, besoj se mund ta sjellim ‘pjesën që mungon’ dhe ta bëjmë shtetin tonë të funksionojë”, ka thënë ai.

“Le të jemi të qartë: Asnjë vend nuk mund të ecë përpara kur politika bëhet fushëbetejë. Asnjë familje nuk ndihet e sigurt kur shteti nuk ka stabilitet. Asnjë i ri nuk sheh të ardhme këtu, nëse jeta publike dominohet nga përçarja. E provuam përçarjen. E provuam kokëfortësinë. E provuam kaosin. Nuk funksionoi. Tani është koha të provojmë diçka tjetër. Tani është koha ta provojmë BASHKIMIN. Kosova që funksionon fillon me bashkimin e të gjithë neve”, ka shtuar ai.