​Hamza: Nuk kam vija të kuqe, i preferuar koalicioni me LDK-në

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza deklaroi se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik sa i përket krijimit të qeverisë. Ai tha se është në bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe parti të tjera rreth krijimit të koalicionit.

Ndërkaq, lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Hamza potencoi se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë komunikim zyrtar rreth këtyre çështjeve.

Në një konferencë për media, Hamza tha se pavarësisht takimeve, ende nuk është arritur të bisedohet për ndarjen e posteve në qeveri.

Hamza: Nuk kam vija të kuqe për asnjë parti dhe asnjë politikan

Gjatë fushatës zgjedhore kam qenë kundër vijave të kuqe. Vijat e kuqe nuk është që i preferoj. Sa i përket bisedave, po jemi në biseda dhe fatbardhësisht asnjë barrierë në komunikim me asnjë parti politike apo politikan në Kosovë tek ana ime nuk ekziston. Jam i gatshëm të bisedoj me të gjithë. Jemi në biseda edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën, Nismën dhe subjektet tjera. Nuk kemi mbërri deri ne atë fazën se si duhet të duket formula e qeverisë, por jemi duke biseduar…Nuk kemi ardhur deri në atë pikë të bisedojmë për çështjen e ndarjes së posteve në qeveri…Partia Demokratike e Kosovës, e ka bërë të qartë edhe gjatë gjithës procesit parazgjedhor edhe fushatës. Renditja është e qartë PDK-ja është partia e dytë i ka 24 deputetë dhe asnjëherë në tavolinë nuk kemi pasur kërkesë se si do të duket Qeveria e Kosovës”, tha Hamza.

Hamza potencoi se propozimi për kryetarin e kuvendit i takon partisë më të madhe në koalicion.

Ai theksoi se me disa partia janë në fazën ku mund të flasin për formulën e komponimit të qeverisë.

Hamza: Me LDK-në ne ende nuk kemi arritur në atë fazë ku ta diskutojmë formulën e krijimit të qeverisë

Sa i përket zgjedhjes së kryetarit të kuvendit dihet që i takon ta propozojë partia më e madhe dhe nevojiten 61 vota që të zgjidhet kryetari i kuvendit . Unë mbajë qëndrime që kryetari i kuvendit do të zgjidhet në përputhje me kushtetutën dhe ligjet…Nuk besoj se duhet të ketë pengesë në zgjedhjen e kryetarit të kuvendit. Sa i përket takimeve me disa parti politike thuaja se jemi në rregull. Mundemi të vijmë tek ajo faza ku realisht flasim për formulën e komponimit të qeverisë. Ndërsa, sa i përket disa partive politike e thashë edhe me LDK-në ne ende nuk kemi arritur në atë fazë ku ta diskutojmë formulën e krijimit të qeverisë. Unë jam shumë i hapur dhe i gatshëm për diskutime. Nuk jam prej atyre që për ndonjë detal apo të vendos vështirësi në proces”, potencoi Hamza.

Lidhur me atë nëse do të ketë polemika brenda PDK-së për krijimin e koalicionit të me LVV-në, Hamza tha se mund të ketë mendime të ndryshme, porse votimi do të jetë i njëjtë.

Derisa u përgjigj në pyetjet e gazetarëve, kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza tregoi se me LVV-në deri më tani nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar.

Preferenca e tij është që krijimi i qeverisë të bëhet në bashkëpunim me LDK-në, sipas tij, për shkak të bindjeve politike dhe koncepteve.

Ndërkaq, lidhur me postin e presidentit, Hamza u shpreh se gjithmonë ka qenë sfidues zgjedhja e kësaj pozite për shkak të mënyrës së votimit.

Hamza: Me LVV-në nuk kemi deri në këtë moment kurrfarë komunikimi zyrtar

Ne kemi marrë iniciativë si PDK, i kemi ftuar , i kemi takuar partitë tjera. Me partinë e parë, Lëvizjen Vetëvendosje nuk kemi deri në këtë moment kurrfarë komunikimi zyrtar. Nuk kemi pranuar ftesë, nuk kemi bërë ftesë. Për shkak të programeve, bindjeve politike, koncepteve, për mua është e preferueshme krijimi i qeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partitë e tjera të cilat kanë ulëse në kuvendin e Kosovës…Sa i përket çështjes së presidentit apo presidentes, unë jam i bindur se është proces i ndarë. Gjithmonë ka qenë sfiduese zgjedhja e presidentit apo presidentes në Republikën e Kosovës për shkak edhe të mënyrës së zgjedhjes. Për shkak se dy roundet e para kërkohet që të jenë 80 vetë prezent dhe është vështirë. Nuk është e pamundur se në të kaluarën ka pasur koalicione me 80 vota. Megjithatë, asnjëherë në Kosovë vendi nuk ka shkuar në zgjedhje për shkak të presidentit apo zgjedhjes së presidentes”, tregoi Hamza.

Hamza ka dorëzuar dje kërkesën e tij në KQZ për të hequr dorë nga mandati i deputetit.

Hamza ka zgjedhur të qëndrojë në pozitën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës edhe pse kanë mbetur shumë pak muaj deri në përfundimin e mandatit të tij.

Në kuvend, Hamza do të zëvendësohet nga kandidati për deputet, Rashit Qalaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje bëri certifikimin e rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit.