Hamza shfaqi ambicien për formimin e Qeverisë së re, analistët komentojnë qëndrimet e PDK-së

Gjatë javës së kaluar, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur një konferencë për media, ku i ka shfaqur qëndrimet e partisë së tij rreth krijimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Ai është shprehur i gatshëm të marrë përgjegjësinë për formimin e Qeverisë në rast se dështon ta bëjë një gjë të tillë Lëvizja Vetëvendosje.

“Në rast se partia e parë nuk arrin brenda afateve ligjore dhe kushtetuese, unë jam i gatshëm si kandidat për kryeministër nga PDK t’i marr përgjegjësitë për krijimin e Qeverisë. Jam në komunikim me partitë opozitare, jemi në biseda me partitë që kemi qenë në opozitë që ne ta krijojmë Qeverinë”, ka thënë Hamza gjatë një konference për media.

Nga ana tjetër, ai ka treguar se nuk pranuar ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje për t`u takuar.

“Me partinë e parë, LVV-në nuk kemi deri në këtë moment kurrfarë komunikimi zyrtar. Nuk kemi pranuar ftesë, nuk kemi bërë ftesë sepse ftesa dhe radha dihet si shkon. Realisht, për shkak të programeve, bindjeve politike dhe koncepteve, gjithmonë e kam thënë që për mua është e preferueshme krijimi i Qeverisë me LDK-së dhe partitë e tjera që kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Lidhur me këto deklarata të Hamzës kanë folur njohësit e çështjeve politike, ku kanë theksuar se politikanët duhet të sillen me përgjegjësi ndaj votuesve.

Burjani: PDK dhe LDK nuk duhet të hyjnë në Qeveri me VV-në

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani ka deklaruar se nuk është ide e mirë që PDK-ja e LDK-ja të hyjë në qeveri me VV-në.

Image

Blerim Burjani

“Nuk ka informacion kthesë nga VV që Hamza ka kërkuar takim me VV. Edhe po të ketë takim, mund të jetë në dëm të madh për PDK. Askush, askujt nuk ia ndal kërkesën apo idenë për t’u takuar për të mirë. Nuk besoj se është ide e mirë për PDK-në e as për LDK-në të hyjë në qeveri me VV-në. AAK-ja dhe NISMA janë çështje tjetër, janë subjekte të vogla politike që mbijetojnë disi në skenën politike vendore”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ai ka potencuar se kompromisi për presidentin mund të jetë ngushëllues për LDK-në apo PDK-në.

“Kompromisi për presidentin mund të jetë ngushëllues për LDK-në apo PDK-në, kur dihet se roli i presidentes është ceremonial, me pak kompetenca që ndikojnë. Presidentja e Kosovës ka 30 kompetenca, por asnjë ekzekutive, me përjashtim të komandantit të forcave të armatosura, emërimeve në gjyqësi dhe politikës së jashtme. Ato të tjerat nuk kanë ndonjë ndikim esencial, kur dihet që kryeministri, në këtë sistem, është pozita më e lartë ekzekutive dhe ndikues në shtet. Nuk mendoj se është mirë që opozita, cilado parti opozitare qoftë, të mashtrohet me pozitën ceremoniale të presidentes”, ka potencuar ai.

Sipas tij, presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët

“Realisht, sa i përket kësaj pozite, duhet të ndryshohet ligji për zgjedhje dhe Kushtetuta, që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët”, ka theksuar Burjani.

Duhanj: Partitë duhet të sillen me përgjegjësi ndaj votuesve

Kurse, analisti politik, Leon Duhanj ka folur për situatën politike që është krijuar në vend, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Image

Leon Duhanj

“Se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri normale dhe të përgjegjshme,  besoj që nuk ka nevojë për koment.

Që situata e krijuar pas rezultateve të zgjedhjeve të 9-të shkurtit,  duke ndikuar që të krijohen dy blloqe, të cilat nuk kanë gatishmëri për bashkëpunim, kjo tashmë po duket qarte.

Për mendimin tim, hapat e parë drejtë antagonizmave në ketë situatë i bëri Kurti, siç edhe e ka përshkrim të punës në karrierën e tij, përçarja është i vetmi angazhim që di ta bëj.

Në rrethana normale, Kurti ishte dashtë, që menjëherë pas zgjedhjeve, t’i ftoj partitë politike lër bashkëpunim.

Kjo nuk ka ndodhur, por në vend të kësaj, Kurti zgjodhi ta thellojë hendekun e përçarjes.

Tani me siguri pret mos po mund e blenë ndonjë deputet dhe ta vazhdoj qeverisjen me përbërjen që ka tani”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai e ka komentuar edhe qasjen e LDK-së.

 “Në anën tjetër kemi partitë opozitare, të cilat e kanë edhe mundësinë e numrave, por që sipas rregullave duhet të presin epilogun nga përpjekja e  subjektit të parë.

Në ketë kontekst, pak sa problematike duke qasja e LDK-së, të cilët sipas deklaratave të tyre kushtëzojnë bashkëpunimin me postin e Kryeministrit si dhe marrëveshjen për pozitën e Presidentit/es.

Kjo qasje le për të dëshiruar, sepse nëse gjatë gjithë kohës slogan ka qenë se duhet qeveri e re dhe  ndryshe, të sabotosh ketë mundësi duke insistuar në pozitën e kryeministrit e cila nuk të takon, është me se shqetësuese”, ka vlerësuar Duhnaj.

Sipas tij, partitë duhet të sillen përgjegjshëm në raport me përgjegjësitë që kanë marrë nga besimi qytetarë.

“Kosova nuk ka mundësi as kohë për t’ua plotësuar detyrat të gjithë atyre që kanë apetite karrieriste.

Duhet të gjitha partitë të reflektojnë dhe të sillen përgjegjshëm në raport me përgjegjësitë që kanë marrë nga besimi qytetarë”, ka deklaruar Duhnaj.