Hapet zyrtarisht Kampionati Evropian i Esports – EEC25 në Prishtinë – Ekonomia Online

Hapet zyrtarisht Kampionati Evropian i Esports – EEC25 në Prishtinë

Në Prishtinë u mbajt ceremonia hapëse e Kampionatit Evropian të Esports – EEC25, ku morën pjesë lojtarë ndërkombëtarë, të rinj, artistë dhe mysafirë vendorë, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij, tha se ky kampionat shënon më shumë sesa një garë: është një festë e pasionit, përkushtimit dhe komunitetit.

“Lojtarë të nivelit botëror, mysafirë ndërkombëtarë dhe vendorë, muzikantë dhe maestro, tifozë dhe të rinj janë mbledhur sot këtu për të festuar shpirtin e lojërave në këto fusha. Sigurisht, ashtu si në shumë ngjarje të tjera sportive, po, ato kanë rëndësi. Të gjithë këtu e kanë përqafuar përsosmërinë me pasion dhe përkushtim. Por, fuqia e vërtetë e këtij kampionati jeton përtej tabelës së rezultateve, në momentet që ndërtojmë, në tregimet që ndajmë dhe në komunitetin që krijojmë së bashku. Kjo ka qenë gjithmonë hapësira ku talenti rritet shpejt dhe ambicia duket se nuk shuhet kurrë”, tha Kurti.

Ai tha se e-sports përfaqëson fuqinë e teknologjisë, inovacionit dhe të ardhmes digjitale, duke vlerësuar të rinjtë si shtytës të kësaj industrie në rritje.

“Nga atletët në fushë deri te zhvilluesit pas ekranit, të gjithë të rinjtë mishërojnë fuqinë e vizionit dhe përkushtimit. Aftësitë dhe pasioni i tyre, si në sport ashtu edhe në teknologji, krijojnë një themel të fortë, sidomos në e-sports, shprehja natyrale e klimës qytetare dhe potencialit të vendit tonë. E kuptoj që për disa, e-sports ende ka nevojë për një hyrje, një shpjegim, ose në disa raste, për një vëlla, një stil të madh, apo edhe një promovim. Por këtu dhe në botë, e-sports është gjithmonë në zhvillim. Shumë kohë përpara se e-sports të kishte një emër, nga versionet 1.3, 1.5 e 1.6, kishte më shumë sesa thjesht një emër. Ishin mënyra për t’u lidhur, për ta sfiduar veten, për të kapërcyer kufijtë dhe për të ëndërruar më shumë. Sot është koha kur e njohim fuqinë dhe potencialin e industrisë së e-sports si forcë shtytëse të teknologjisë, inovacionit dhe të ardhmes së kulturës digjitale”, shtoi Kurti.

Kryetari i Federatës së Esports, Altin Preniqi, tha se ndryshe nga fusha e gjelbër që shumëkush e lidh me sportin tradicional, sot bëhet fjalë për një fushë me energji të re: atë online.

“Në këtë kampionat kemi përfaqësues nga vende të ndryshme, por një ide të përbashkët: pasionin për Esports.
Kur përmendim shumica e njerëzve mendojnë për fushën e gjelbër por sot jemi për dicka ndryshe për një fushë që ka energji në fushën online. Në këtë kampionatë kemi përfaqëues nga vende të ndryshme por kemi një ide të përbashkët pasionin”, tha Preniqi.

Ndërsa, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, theksoi se me EEC25, Prishtina hap një faqe të re në sportin evropian.

“Ky kampionat është dëshmi se Kosova është gati për organizime të mëdha dhe se sporti i ri dhe teknologjia po marrin mbështetje reale.

Sot në Prishtinë hapin faqen e re të sportit evropian. Kjo mbështetje nuk ka qenë vetëm formale por edhe konkrete. Ky kampionat përfaqëson shpirtin e brezave të rinj. Fakti që ky kampionat zhvillohet në Prishtinë është dëshmi që Kosova po krijon hapësirë të zhvillohet sporti dhe për të treguar që jemi gati të organizojmë”, shtoi Krasniqi.