Haradinaj me homazhe në nderim të heroit Bahri Fazliu: Ishte frymëzim për rininë shqiptare

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe tek varrimi i heroit Bahri Fazliu, në 26-vjetorin e rënies së tij, duke e cilësuar si një nga figurat më të rëndësishme të luftës për lirinë e Kosovës.

“Bahriu ishte njeri i pushkës dhe i penës, trim, guximtar e i vendosur deri në vetëmohim. Fitoi përjetësinë duke u bërë shembull frymëzimi për rininë shqiptare se si duhet dashur Atdheu dhe si sakrifikohet për të”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.

Ai ka kujtuar gjithashtu se më 7 maj të vitit 1999, në lagjen Çabrat të Gjakovës, heronjtë e Brigadës 137 “Gjakova” zhvilluan një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haradinaj gjithashtu ka kujtuar dëshmorët e rënë më 7 maj 1999 dhe 13 shqiptarët e vrarë te Ura e Taliqit në Gjakovë dhe në Ozdrim të Pejës.

“I dërrmuar nga humbjet në front, armiku u hakmor mbi civilët e pafajshëm. Në Gjakovë, te Ura e Taliqit, dhe në Ozdrim të Pejës, ku u ekzekutuan mizorisht 13 shqiptarë, një fshat që kishte qenë i përkushtuar ndaj lirisë që nga ditët e para të luftës.Përgjithmonë krenar me heronjtë tanë, me të rënët për liri dhe me rrugëtimin tonë për liri!”, deklaroi ai.