Sindikatat: Pagat nuk përputhen me koston e jetesës

Haradinaj premton pagë minimale 600 euro e shtesa më të larta nëse merr mandatin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për miratimin e projekt buxhetit për vitin 2026, rritjen e pagës minimale, pensioneve dh shtesave për fëmijët.

Sipas tij, kjo rritje është e vonuar dhe e pakët.

Teksa ka shkruar në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri, Ramush Haradinaj tha se një rritje e tillë është dashur të ndodh para shumë vitesh.

“Shumë vonë, shumë pak. Marre. Kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh. Në takimin e parë të qeverisë sonë, pensioni bazik do të jetë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro. Shtesat për të gjithë fëmijët nga 0–16 vjeç do të kenë rritje të konsiderueshme. Nënat me dy fëmijë do të marrin 100 euro, ndërsa nënat me katër fëmijë do të marrin 300 euro në muaj”, ka shkruar ai.

Qeveria në detyrë ka miratuar projektbuxhetin në vlerë prej katër miliardë euro për vitin 2026. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi mori vendim për rritjen e pensioneve në 150 euro, si dhe shtesave për fëmijë për 50 për qind nga muaji nëntor i këtij viti.

Po ashtu, qeveria në detyrë mori vendim për rritjen e pagës minimale për vitin 2026. Paga minimale u tha se do të rritet në dy faza: nga 1 janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 425 euro, ndërkaq nga korriku i vitit 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro.