Haradinaj: Sakrifica e të rënëve, frymëzim për një Kosovë të fortë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot dëshmorët e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” dhe martirët e Lubizhdës së Hasit, në përvjetorin e rënies së tyre gjatë luftës çlirimtare. Ai ka theksuar se sakrifica e të rënëve mbetet frymëzim për të ndërtuar një Kosovë të fortë e të mirëqenë, ashtu siç e kishin ëndërruar ata.

Ai, në një shkrim në ‘Facebook’, ka kujtuar me krenari luftëtarët e rënë më 12 dhe 13 prill 1999, duke përmendur me emër dëshmorët që u përjetësuan në këto ditë: Ismet Bicaj, Skënder Maraj, Xhafer Mehmetaj, Izet Shatri, Nezir Mujaj, Bujar Visoqi, Abedin Dervishaj, Smajl Fetahaj, Xhafer Haskaj, Sylë Çeta, Qazim Hakaj, Nexhmedin Hakaj, Sami Gashi dhe Njomëza Lipaj.

“Brigada 133 ‘Adrian Krasniqi’ e Zonës Operative të Dukagjinit, që nga themelimi i saj, ishte shtyllë e fortë e luftës për liri. Me trimërinë dhe betejat e saj, ajo nderoi emrin e heroit Adrian Krasniqi dhe gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Në këtë përvjetor, Haradinaj nderoi edhe dëshmorin e kombit Ekrem Dili, i cili ra në mbrojtje të territorit dhe popullatës, duke u bërë pjesë e përjetshme e lavdisë kombëtare.