​Hargreaves kërkon formimin urgjent të institucioneve të reja

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje për formimin urgjent të institucioneve të reja të Kosovës pas dy dështimeve të konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Diplomati britanik në një postim në Facebook ka shkruar se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të presin bashkëpunim nga liderët politikë në interes kombëtar,..

”Më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve, Kosova ka urgjentisht nevojë për një Kuvend dhe një qeveri funksionale. Qytetarët kanë të drejtë të presin që udhëheqësit e tyre politikë të bashkëpunojnë në interes të vendit”, ka shkruar ai.

Konstituimi i legjislaturës së nëntë ka dështuar për herë të dytë brenda dy ditësh. Kryesuesi Avni Dehari nga LVV-ja ndërpreu seancën pasi sipas tij, nuk kishte konsensus me përfaqësuesit e partive politike se si të veprohet tutje. Seanca e re e radhës është thirrur për datën 19 prill, ora 12:00.

Deputetja e zgjedhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti po mundohet që në mënyrë të jashtëligjshme ta bëjë zvarritjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, meqë “nuk i ka votat për formimin e qeverisë”.