Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se bashkë me partnerë të tjerë ndërkombëtarë i ndajnë shqetësimet për veprimet e Qeverisë Kurti në veri gjatë muajve të fundit.
Ai tha se brengë e ka edhe kur dëgjon njerëzit të vënë në pikëpyetje themelin e shtetit të Kosovës që mbështetet në Planin e Ahtisaarit, duke e potencuar se ndihmën ndaj Kosovës Mbretëria e Bashkuar e bën pikërisht mbi këtë themel.
“I kemi disa shqetësime, që i ndajmë me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. I përmenda disa prej këtyre shqetësimeve për gjuhën ndaj Gjykatës Kushtetuese. I kemi thënë publikisht. E kam thënë publikisht se jam i shqetësuar për disa prej veprimeve që janë ndërmarrë, veçanërisht në veri të Kosovës gjatë muajve të fundit, të cilat nuk janë bërë në konsultim të mirëfilltë me komunitetet e prekura dhe të cilat kanë nxitur frikë dhe paqëndrueshmëri në këto komunitete. Brengosem kur dëgjoj njerëzit duke vënë në pikëpyetje themelin e këtij shteti, i cili, nga këndvështrimi ynë, mbështetet në Planin e Ahtisaarit, siç pasqyrohet në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutë; i cili formon lidhjen themelore ndërmjet vendeve tona, sepse pikërisht mbi këtë themel ne e mbështetëm ndihmën tonë thelbësore që Kosova të fitonte njohje nga mbi 100 vende”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Derisa Kosova është nën sanksione të BE-së dhe së fundi u ndëshkua nga SHBA me pezullim të Dialogut të planifikuar Strategjik, ambasadori britanik u pyet mbi marrëdhëniet që Kosova ka me Mbretërinë e Bashkuar, e cila s’ka marrë ndonjë masë konkrete sikurse dy partneret tjera.
“Unë ndodhem në këtë vend që 18 muaj. Jam tejet i privilegjuar që ndodhem këtu, në këtë rol, si ambasador britanik. Gjëja e parë që më ka lënë përshtypje, në pothuajse çdo takim që kam zhvilluar gjatë kohës time këtu, është thellësia dhe ngrohtësia e marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila, siç e dini, daton nga viti 1999, kur trupat britanike ishin ndër të parat që erdhën si pjesë e operacionit të NATO-s. Më 2008, Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës. Kemi bashkëpunuar gjatë dhe thellësisht për sigurinë, dhe ne besojmë se Kosova duhet të jetë dhe është vend i pavarur dhe sovran. Prandaj, mendoj se marrëdhënia mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës i ka rrënjët shumë të forta, dhe ne jemi shumë krenarë për këtë e vazhdojmë të jemi, dhe do të vazhdojmë kësisoj”, tha ai.



Të tjera
Strategjia ‘Serbia 2030’ shpërfaq pretendimet territoriale ndaj Kosovës
Burrat më të gatshëm për divorc pas tradhtisë
Osmani takon përfaqësuesit e NATO-s, vlerëson rolin e NALT-it për FSK-në