Albulena Haxhiu, e cila nga dje mbanë pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, ka zhvilluar takim lamtumirës në Ministrinë e Drejtësisë, dikaster që e ka udhëhequr deri tash.
Ajo ka thënë se udhëtimi nuk ka qenë gjithmonë i lehtë, kishte sfida e vendimmarrje të vështira.
“Ka qenë një udhëtim që nuk ka qenë gjithmonë i lehtë. Ka pasur ditë me orë të gjata pune, vendimmarrje të vështira dhe sfida që kërkonin guxim për të përballuar rezistencën ndaj ndryshimit. Por në çdo hap të kësaj rruge, tek stafi politik dhe ai civil kam parë jo vetëm profesionalizëm, por edhe përkushtim, kurajo dhe besim të palëkundur se e mira publike duhet të qëndrojë mbi gjithçka”, ka shkruar Haxhiu në rrjete sociale.
Ajo ka thënë se drejtësia nuk është një projekt katërvjeçar, por mision i përhershëm.
“I falënderova nga zemra për gjithçka që kemi ndërtuar së bashku. I inkurajova që të vazhdojnë ta ruajnë frymën e bashkëpunimit, përgjegjësinë dhe integritetin, sepse drejtësia nuk është një projekt katërvjeçar por është një mision i përhershëm që kërkon përkushtimin e secilit prej nesh. Faleminderit për respektin, për punën tuaj dhe për mbështetjen e pakushtëzuar gjatë gjithë këtyre viteve”, ka shkruar ish-ministra e Drejtësisë, tash nënkryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ndërkohë, gjatë ditës kryeministri në detyrë, Albin Kurti, caktoi zëvendësministrin aktual në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ushtrues të detyrës së ministrit.
Të tjera
Albulena Haxhiu është shembull për punën e saj si ministre e Drejtësisë, thotë Donika Gërvalla
Këto truke do ta ndihmojnë fëmijën tuaj t’ju tregojë gjithçka rreth ditës së tij në shkollë
Ushtarët polak të KFOR-it në patrullime përgjatë kufirit në veri të Kosovës