Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, zhvilloi sot një takim njoftues me përfaqësuesit e organizatave partnere dhe organizatave të shoqërisë civile, vendore e ndërkombëtare.
Në këtë takim morën pjesë rreth dyzet përfaqësues, duke shënuar takimin e parë të kryetares Haxhiu me këto organizata, në cilësi të kryetares së Kuvendit.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe dialogut të hapur, ku u diskutuan sfidat me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile, projektet që ato zhvillojnë, si dhe vërejtjet e sugjerimet e tyre lidhur me punën e Kuvendit.
“Gjatë diskutimit u theksua nevoja për më shumë punë të përbashkët ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile për ligjet e rëndësishme, duke siguruar përfshirje dhe konsultim të hershëm. U nënvizua rëndësia e rritjes së transparencës, përfshirë transmetimin e drejtpërdrejtë të punës së komisioneve parlamentare, si dhe hapjen sa më të madhe të Kuvendit ndaj publikut.
Pjesëmarrësit kërkuan kujdes në ruajtjen e gjuhës parlamentare dhe reagim të qartë ndaj gjuhës denigruese në Kuvend. Po ashtu, u theksua nevoja për forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, veçanërisht në aspektin e shpenzimeve qeveritare”.
“Në takim u diskutua për integrimin e perspektivës gjinore dhe vlerësimin e ndikimeve mjedisore gjatë hartimit të legjislacionit, si dhe për rëndësinë e plotësimit të kapaciteteve njerëzore në komisionet parlamentare. U theksua se roli i shoqërisë civile duhet të vlerësohet jo vetëm në aspektin e monitorimit, por edhe në ofrimin e ekspertizës profesionale për proceset legjislative.
Gjithashtu, u shpreh mbështetje për institucionet në zbatimin e Konventës së Stambollit, si dhe u potencua rëndësia e shqyrtimit të strategjisë së përpiluar për drejtësi tranzicionale”, thuhet në një njoftim të Kuvendit.
Në fjalën e saj përmbyllëse, Haxhiu theksoi se deputetët duhet ta shohin shoqërinë civile si aleate në punën e tyre, veçanërisht deputetët e rinj që kanë nevojë për mbështetje dhe ekspertizë. Ajo theksoi domosdoshmërinë që ligjet të hartohen dhe procedohen pa vonesa, duke nënvizuar se gjuha denigruese në Kuvend është e papranueshme dhe kërkon reagim institucional.
Ajo bëri të ditur se do të ndërmerren hapa për Kodin e Sjelljes së Deputetëve, ndërsa njoftoi se së shpejti do të funksionalizohen Grupi i Grave Deputete dhe Grupi i Deputetëve të Rinj.
Ajo shprehu mbështetje të vazhdueshme për grupet dhe komisionet parlamentare, duke falënderuar të gjitha organizatat për angazhimin dhe kontributin e tyre në forcimin e demokracisë dhe institucioneve të vendit.
Haxhiu dhe përfaqësuesit e organizatave partnere e të shoqërisë civile u dakorduan që takime të tilla të mbahen rregullisht dhe në formate tematike, me qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e koordinimit institucional.



Të tjera
Lladrovci: Ku është Amerika, ne nuk kemi nevojë të kemi frikë të jemi aty edhe ne
Kufjet, brushën, çorapet… mos i ndani me askënd
Grenell poston fjalën e presidentit të SHBA- Për çdo problem me Serbinë, më telefononi mua!