Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka përkujtuar sot 21-vjetorin e vrasjes së dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, të cilët u ekzekutuan më 24 nëntor 2003 në një pritë të organizuar teksa po shkonin në detyrën e tyre zyrtare.
Gërvalla tha se Tolaj dhe Haklaj, të cilët ishin luftëtarë të Lirisë gjatë luftës dhe më pas shembuj të zyrtarëve policorë në fazat e para të shtetndërtimit, u vranë sepse ishin në vijën e parë të luftës kundër krimit. Sipas saj, kjo ishte një dëshmi e qartë se beteja për një shtet të së drejtës ishte po aq e rrezikshme sa lufta për liri.
“Sebahatja dhe Isufi u shndërruan në heronj të demokracisë dhe në simbol të çmimit që pagoi Kosova për ta ndërtuar shtetin e së drejtës”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo njoftoi se sot, së bashku me familjarë, miq dhe kolegë të të rënëve, ka bërë nderime te lapidari në stacionin policor në Pejë, te vendi i vrasjes në Raushiq dhe te varrezat e tyre në Pobërgjë dhe Koshare.
Gërvalla theksoi se përgjegjësia për të çuar përpara ëndrrën e tyre për një Kosovë demokratike bie mbi institucionet dhe shoqërinë.
“Drejtësi të plotë për ta, sepse vetëm kështu ëndrra e Sabahates, e Isufit dhe e shumë heronjve të tjerë të demokracisë bëhet pjesë e një shoqërie të shëndoshë, të sigurt dhe demokratike.”
Ministrja përfundoi mesazhin e saj me thirrjen që sakrifica e dy zyrtarëve të mos harrohet:
“U jetësoftë ëndrra e Sabahates dhe Isufit për Kosovën tonë.”



Të tjera
Këto ushqime nuk duhet t’i hani kurrsesi pa u pjekur mirë
Në prag të ndeshjes historike, Glauk Konjufca iu shkon në vizitë “Dardanëve”
Kurti ndan 500 mijë euro për kombëtaren e Kosovës, nëse e mposht Sllovakinë