Njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë zhvilluar veprime hetimore ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë të bëjnë me aktivitete të dyshuara të kundërligjshme që ndërlidhen me ofrimin e shërbimeve mjekësore dhe farmaceutike pa autorizim ligjor. Në kuadër të rastit, me urdhëresë të organeve kompetente, janë realizuar kontrolle në disa lokacione.
Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të produkteve medicinale, regjistra të ndryshëm që përmbajnë të dhëna për klientët dhe shërbimet e ofruara, si dhe pajisje elektronike, përfshirë laptopë, njësi kompjuterike dhe pajisje DVR të kamerave të sigurisë.
Në cilësinë e personave të dyshuar, njëmbëdhjetë (11) persona janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa katër (4) personave të tjerë u është lënë ftesë për t’u paraqitur në organet e hetuesisë.
Me vendim të prokurorit kompetent, të gjithë të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të trajtohet në vijimësi nga organet e drejtësisë.
Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimit të përgjegjësisë eventuale penale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.



Të tjera
Takimet intensive sollën rezultate konkrete
Çfarë bëjnë të gjithë meshkujt kur tradhtojnë?
“Prishtina 2030” po merr formë, ICMG vlerëson përgatitjet e deritanishme