Hetimet për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it në 2013, bastisje të reja në veri të Kosovës

Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në orët e para të mëngjesit të së dielës realizuan një operacion në 9 lokacione në veri të vendit.

Operacioni policor i realizuar në Zveçan dhe Zubin Potok përfundoi me shoqërimin e 7 personave në polici, të cilët pas intervistimit u liruan në procedurë të rregullt.

Ky operacion policor erdhi si rezultat i hetimeve për vrasjen e zyrtarit të të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) më 2013.

Audrius Senavicius, nga Lituania, ishte pjesëtari i parë i Misionit për Sundim të Ligjit i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), i cili është vra në krye të detyrës prej se ky mision është instaluar në Kosovë.

EULEX-i kishte ofruar shpërblim prej 27 mijë e 500 euro për informacionet që qojnë deri në kapjen e autorit apo autorëve të vrasjes së pjesëtarit të këtij misioni, Audrius Senavicius.

Atë kohë një ekip i përzier i hetuesve të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës kishin kryer hetime.

Ndërkaq në operacionin policor të zhvilluar të dielën më 19 tetor 2025, gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale sikurse: dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme etj.