Gjatë dëshmisë së tij, Rubin tha se ndërmjetësuesi i SHBA-së për Kosovën në Rambuje, Christopher Hill, kishte bërë përpjekje të dëmtonte figurën e tij, por edhe të sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
“Christopher Hill kishte njëanshmëri që e vëreja gjatë gjithë kohës së tij si udhëheqës – njëanshmëri në favor të LDK-së dhe kundër UÇK-së. Unë nuk kisha asnjë anshmëri dhe isha i ftuar të punoja me udhëheqësin e zgjedhur të organizatës”.
“Christopher Hill këtu po tregonte njëanshmëri, po përpiqej të më zvogëlonte rolin tim, e bëri këtë në mënyrë të përsëritur dhe po ashtu u përpoq ta zvogëlonte edhe sekretaren Albright para gazetarëve, duke pretenduar gabimisht se ajo e kishte favorizuar udhëheqësin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, kur në fakt ishte delegacioni shqiptar i Kosovës që e kishte zgjedhur atë si udhëheqës, dhe miratimi i tij ishte i domosdoshëm që ne të arrinim objektivat”, tha Rubin.
Prokurori e pyeti nëse Albright e kishte inkurajuar të krijonte marrëdhënie me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë dhe Rubin konfirmoi se po, duke pranuar se “përqendrimi i tij ishte veçanërisht te Thaçi”.
Prokurori pyeti, gjithashtu, nëse i kishte dhënë këshilla Thaçit për veshjen, por Rubin tha se kjo nuk ishte domosdoshmëri.
Ai tha se Hill kishte folur për këtë çështje.
Christopher Hill është një diplomat karriere i SHBA-së, i cili shërbeu si i dërguar special gjatë luftës në Kosovë dhe mori pjesë drejtpërdrejt në negociatat e Rambujesë në vitin 1999.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në qershor të këtij viti, Hill tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin vetë problemet, pasi SHBA-ja nuk mund të ndërhyjë më si dikur.
I pyetur për perceptimin e njëanshmërisë gjatë kohës si ambasador në Serbi (2022–2024), Hill tha:
“Qasja ime është të veproj sipas mënyrës se si Qeveria e SHBA-së dëshiron që çështjet të trajtohen. Ne kemi shumë interesa në Serbi që nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën”.
Të tjera
FK i nxjerr në shitje biletat për ndeshjen Kosovë-Slloveni
Fondi për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë nuk u menaxhua në mënyrë efikase
Funksionalizimi i plotë i institucioneve është prioritet