Hoti pretendon se 5 persona të zhdukur mund të gjenden nga gërmimet

Hoti pas themelimit të Komisionit për të zhdukurit: Kërkesat tona të qarta

Udhëheqësi i Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se kërkesat e Kosovës kanë qenë të qarta tash e tri vjet për themelimin e Komisionit të Përbashkët me Serbinë për Personat e Zhdukur, transmeton KosovaPost.

“Kërkesat tona ishin të qarta dhe të drejtpërdrejta qe një kohë: Zbatimi i plotë i Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë qasjen në arkivat e klasifikuara; Trajtimi i kërkesës zyrtare për arkiva, drejtuar Vuçiqit, lidhur me komandën e shpërbërë të Brigadës së Motorizuar 37 të ish Ushtrisë Jugosllave; Përshpejtimi i punës në lokacionet prioritare dhe zbatimi i zotimeve të dala nga tri takimet e Grupit Punues, në veçanti Batajnica; Korniza e përgjithshme e funksionimit të Grupit Punues të ndërmjetësuar nga ICRC, në përputhje me Deklaratën dhe realitetin e ri, dhe qështje të tjera”, ka shkruar ai në facebook.

Hoti më tej tha se mirëpresin takimin e radhës, “me pritjen e qartë që pala serbe të vijë me hapa konkretë dhe të matshëm, në përputhje me obligimet e marra në Deklaratën e personave të zhdukur”.

Marrëveshja u arrit pas takimeve pothuajse maratonike që ndërmjetësi evropian, Peter Sorensen, zhvilloi ndaraz me dy kryenegociatorët.