Humbja e thellë e LDK-së, Xhafer Tahiri kërkon përgjegjësi: “Kush humb, duhet të mbajë përgjegjësi”

Ish – kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka reaguar lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar se rezultati i dobët në zgjedhje është një alarm serioz për gjendjen e brendshme të partisë.

Tahiri ka vlerësuar se LDK-ja po humb mbështetjen qytetare jo për shkak të mungesës së angazhimit në terren, por për shkak të shkëputjes së lidershipit nga baza.

Sipas tij, aktivistët dhe strukturat lokale kanë bërë punën e tyre, por vendimmarrja e mbyllur dhe mosdëgjimi i zërit të anëtarësisë kanë prodhuar pakënaqësi dhe zhgënjim.

Ai ka theksuar se LDK-ja ka qenë gjithmonë një parti e vlerave, e garës dhe e përgjegjësisë, por këto parime, sipas tij, janë lënë pas dore vitet e fundit.

LDK po humb sepse është larguar nga njerëzit e saj dhe nga populli. Kjo humbje nuk është rastësi por është pasojë e vendimeve të gabuara

Baza ka punuar, aktivistët kanë sakrifikuar, por zëri i tyre është injoruar. Kjo nuk është LDK-ja në të cilën jemi rritur.

LDK nuk është pronë e askujt. Ajo duhet t’u kthehet anëtarëve, popullit, garës dhe guximit për të ndryshuar. Kush humb duhet të mbajë përgjegjësi.

Unë jam në anën e atyre që kërkojnë ndryshim të vërtetë dhe rikthim të dinjitetit të LDK-së