Humbjet që tundën themelet e partisë! Zgjedhjet lokale ndezin alarmin në PDK – dorëheqjet, të pashmangshme!

Rezultatet e fundit të zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë sjellë një ‘tronditje’ në skenën politike, veçanërisht për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila doli ndër humbëset më të mëdha të këtij procesi zgjedhor.

Edhe pse partia arriti të ruajë fitoret në gjashtë komuna, ajo humbi tri të tjera që i kishte qeverisur më parë – një fakt që shihet si sinjal i qartë i rënies së ndikimit të saj në nivel lokal dhe i pakënaqësisë së votuesve me mënyrën e qeverisjes në disa zona.

Rezultati i dobët ka ngritur pyetje të shumta brenda vetë partisë dhe në opinionin publik: a po kalon PDK një krizë të brendshme? Këto zgjedhje duket se kanë hapur një kapitull të ri debati mbi drejtimin që duhet të marrë PDK-ja për të rikthyer besimin e elektoratit dhe për të rifituar rolin e saj si forcë e rëndësishme politike në vend.

Në këtë kontekst, mbetet për t’u parë nëse rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të shërbejnë si një alarm për ndryshime të thella brenda strukturave të partisë – përfshirë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme – apo nëse lidershipi aktual do të zgjedhë të vazhdojë me kursin e deritanishëm, duke kërkuar mënyra të tjera për të forcuar pozicionin e saj politik në vitet në vijim.

Halili: Rezultatet e fundit të zgjedhjeve lokale përbëjnë një sinjal të rëndësishëm për PDK-në

E për këtë situatë të krijuar në PDK, për “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Nijazi Halili.

Si fillim, ai tha se rezultatet e zgjedhjeve lokale janë një sinjal i fortë për PDK-në, pasi humbja e tri komunave tregon se kjo parti po humbë votues në terren.

Image

Nijazi Halili

“Rezultatet e fundit të zgjedhjeve lokale përbëjnë një sinjal të rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Megjithëse partia arriti të fitojë në gjashtë komuna, humbja e tri komunave të cilat më parë i kishte qeverisur tregon për një dobësim të dukshëm të mbështetjes në terren. Ky rezultat reflekton jo vetëm lodhjen e elektoratit ndaj strukturave të vjetra, por edhe mungesën e një narrative të re politike që do të motivonte votuesit tradicionalë të PDK-së”.

Në këtë pikë, Halili tregoi shkaqet me të cilat mund të ndërlidhet rënia e PDK-së, e që sipas tij rol kyç luan mosprofilizimi në parti dhe mungesa e figurave të reja.

“Një ndër arsyet kryesore të këtij rezultati mund të lidhet me mungesën e profilizimit të qartë të partisë në raport me zhvillimet e fundit politike. PDK, ndonëse ka tentuar të pozicionohet si opozitë konstruktive, ende nuk ka arritur të ofrojë një alternativë bindëse përballë partive në pushtet. Kjo, e kombinuar me një lodhje të strukturave lokale dhe me ndjenjën e mungesës së figurave të reja, ka ndikuar në rënien e performancës elektorale në disa komuna ku dikur kishte bazë të fortë. Në anën tjetër, votuesi kosovar po tregon një prirje gjithnjë e më të qartë për ndryshim. Rotacioni i pushtetit në nivel lokal shihet si mekanizëm i llogaridhënies dhe ndëshkimit ndaj partive që nuk arrijnë të përtërijnë ofertën e tyre politike”, nënvizoi ai.

Po ashtu, ai pret që zhvillimet e fundit të shkaktojnë ndryshime të brendshme dhe të sjellin një lidership të ri.

Madje, paralajmëroi se nëse nuk reflekton, PDK mund të pësojë rënie edhe më të madhe.

“Në këtë kuptim, rezultati i PDK-së duhet parë si pjesë e një procesi më të gjerë të transformimit të kulturës elektorale në Kosovë. Ky zhvillim me shumë gjasë do të nxisë ndryshime të brendshme në PDK. Në strukturat lokale priten riorganizime, ndërsa në nivel qendror mund të hapet debati për zgjedhje të reja të brendshme apo për reformim të lidershipit. Nëse partia e lexon saktë këtë moment dhe ndërmerr hapa për modernizimin e strukturës, hapjen ndaj figurave të reja dhe formulimin e një vizioni të qartë politik, PDK mund ta kthejë këtë situatë në një pikë kthese. Përndryshe, rrezikon të mbetet në një fazë të stanjacionit politik që do ta dobësonte më tej në zgjedhjet parlamentare të ardhshme.

Këto zgjedhje duhet të shërbejnë si reflektim për PDK-në mbi nevojën për reformë, rinovim dhe riartikulim të qëllimeve politike. Vetëm nëse partia arrin të rikthejë besimin e elektoratit përmes ndryshimit të qasjes dhe njerëzve, mund të synojë rikthimin si forcë qendrore në skenën politike të Kosovës”, përfundoi Nijazi Halili për “Bota sot”.

Duhanaj: Është koha për një reflektim e pse jo edhe për debate të brendshme

Ndërsa, edhe analisti politik, Leon Duhanaj vuri në pah dështimet e PDK-së, në synimet e saj për ruajtjen e komunave në të cilat ka qeverisur.

Së pari, në bashkëbisedimin me “Bota sot” foli për garën dhe humbjen në Mitrovicë.

Image

Leon Duhanaj

“Po, fatkeqësisht Partia Demokratike e Kosovës PDK nuk arriti me sukses t’i mbrojë komunat e qeverisura prej saj deri në këto zgjedhje.

Në njërën anë duhet ta themi qartë se Qeveria Kurti abuzoi me paratë e taksapaguesve në blerje klasike të votës.

Në një konstalacion të tillë ku Qeveria shfrytëzon të gjitha mjetet edhe jashtëligjshëm për të marrë pushtet, është tejet e vështirë të qëndrosh si parti opozitare”.

Ndërsa, analisti u ndal edhe te humbja në Drenas, gjë për të cilën e fajëson kryesinë dhe kryetarin e partisë.

E në këtë rast, ai tha se debatet brenda partisë dhe ndryshimi në kryesi do duhej të ishin një lloj reflektimi.

“Në anën tjetër kemi humbjen në Drenas, e cila për mendimin tim ishte e panevojshme dhe se në këtë rast përgjegjësinë duhet ta bartë kryesia, gjegjësisht kryetari i partisë.

Për mendimin tim votat në Drenas nuk janë të humbura, por nëse partia do t’i humbi vetë.

Nëse arrin të stabilizohet gjendja në Drenas, PDK del prapë mirë.

Megjithatë, mendoj që është koha për një reflektim e pse jo edhe për debate të brendshme, për ide të reja dhe freskim të radhëve”, përmbylli Leon Duhana