Hungaria dhe Serbia do të ndërtojnë së bashku një naftësjellës të ri me qëllim sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji, njoftoi të hënën në Budapest ministri i jashtëm hungarez Péter Szijjártó, në kuadër të përpjekjeve të BE-së për të reduktuar varësinë nga nafta dhe gazi rus.
Naftësjellësi i planifikuar, me kapacitet vjetor prej pesë milionë tonësh, pritet të përfundojë dhe të vihet në punë deri në vitin 2027. Si pjesë e projektit, Hungaria do të ndërtojë 180 kilometra infrastrukturë të re tubacionesh.
“Brukseli dëshiron të na shkëpusë nga nafta dhe gazi rus, duke i detyruar familjet hungareze të paguajnë dy deri në katër herë më shumë. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha Szijjártó dhe shtoi:
“Po ndërtojmë burime të reja, jo duke mbyllur ato ekzistuese”.
Sipas tij, naftësjellësi i ri do të ndihmojë në ruajtjen e programit hungarez për uljen e kostove të shërbimeve komunale dhe do të mbrojë qytetarët nga rritja e çmimeve të energjisë si pasojë e politikave të Bashkimit Evropian.
Hungaria, e cila vazhdimisht kundërshton sanksionet energjetike të Brukselit, e konsideron këtë projekt infrastrukturor si thelbësor për sigurinë kombëtare energjetike dhe për bashkëpunimin rajonal me Serbinë.



Të tjera
Prindërit nuk bëjnë gjumë të mjaftueshëm gjashtë vjet pas lindjes së fëmijës
Apeli rikthen në paraburgim Tomasheviqin, i dyshuar për kr*ime lu*fte
Rrushi i thatë është i shëndetshëm, por nuk rekomandohet për të gjithë