I burgosur  politik në Serbi, 24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit

I burgosur politik në Serbi, 24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit

Kryeministri i Kosovës kaloi mbi dy vjet nëpër burgjet famëkeqe të Serbisë, nga Prishtina në Nish e Pozharevc, deri në lirimin e tij më 7 dhjetor 2001.

Albin Kurti, sot kryeministër i Kosovës, ka një të kaluar të dokumentuar si i burgosur politik gjatë regjimit serb. Arrestimi i tij ndodhi më 27 prill 1999 në Prishtinë, në kohën e luftës, në një periudhë kur Serbia arrestonte masivisht aktivistë politikë shqiptarë.

Ai u mbajt fillimisht në Burgun e Prishtinës deri më 2 maj 1999, për t’u transferuar më pas në Burgun e Lipjanit, ku qëndroi deri më 10 qershor. Pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, Kurti u dërgua me dhjetëra të burgosur të tjerë shqiptarë në Serbi.

Transferimet e tij nëpër burgjet serbe përfshijnë:

Pozharevc: 10 qershor – 13 dhjetor 1999 Nish: 13 dhjetor 1999 – 13 mars 2000

Procesi gjyqësor ndaj tij filloi më 9 mars 2000, ndërsa më 13 mars, regjimi serb e dënoi me 15 vjet burg nën akuzën për “cenim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”, sipas Nenit 116 – një akuzë tipike politike e kohës.

Pas dënimit, ai u kthye në Pozharevc, ku u mbajt nga 14 mars deri në nëntor 2000, e më pas u transferua në Burgun e Quprisë, ku qëndroi deri më 3 dhjetor 2001. Nga 3 deri më 7 dhjetor, ai u rikthye për disa ditë në Burgun e Nishit.

Lirimi i Albin Kurtit më 7 dhjetor 2001 erdhi pas presionit të fortë të bashkësisë ndërkombëtare, e cila kërkonte lirimin e të gjithë të burgosurve politikë të regjimit serb.

Ky historik burgosjeje mbetet një nga pjesët më të rëndësishme të biografisë së tij politike, dhe një dëshmi e drejtpërdrejtë e represionit të ushtruar ndaj aktivistëve shqiptarë të viteve ’90.