I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen, ka njoftuar dorëheqjen nga posti ku shërbeu për më shumë se gjysmë dekade gjatë luftës civile në vend që përfundoi vitin e kaluar, transmeton Anadolu.
“Dua ta bëj me dije këshillin se i kam komunikuar sekretarit të përgjithshëm synimin tim për t’u tërhequr pas më shumë se gjashtë vitesh e gjysmë në detyrën si i dërguar i posaçëm i OKB-së për Sirinë dhe ai e ka pranuar me mirënjohje kërkesën time”, tha Pedersen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas një seance mbi Sirinë.
“Prej kohësh kisha qëllim të lëvizja për arsye personale pas një periudhe të gjatë shërbimi”, tha Pedersen, duke përgëzuar popullin sirian për “guximin dhe humanitetin e jashtëzakonshëm” gjatë krizës.
“Do të largohem në një të ardhme të afërt, por ju siguroj se do të mbetem plotësisht i angazhuar në përgjegjësitë e mia deri në ditën e fundit në detyrë”, shtoi ai.
“Përvoja ime në Siri më ka vërtetuar një të vërtetë të qëndrueshme se ndonjëherë është më e errët para agimit” tha ai, duke theksuar se “progresi dukej krejtësisht i pamundur, deri sa papritur u arrit”.
Duke theksuar “qëndresën dhe vendosmërinë” e popullit sirian, Pedersen i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të sigurojë një “ditë të ndritur” për Sirinë.
I dërguari i sapoemëruar i Sirisë në OKB, Ibrahim Olabi, mori më pas fjalën për të falënderuar Pedersen për përpjekjet e tij.
“Të jesh i dërguar i posaçëm për çfarëdo konflikti, nuk është aspak punë e lehtë”, tha ai.
“Kjo ndoshta nuk është diçka unike për Sirinë, por Siria ka paraqitur sfida të jashtëzakonshme për të gjithë të dërguarit që u ngarkuan me një përgjegjësi kaq të madhe. Por ajo që ndoshta është unike për situatën siriane në largimin e z. të dërguar, është se ai largohet me një shënim shprese, me një histori suksesi”, shtoi ai.
Pedersen u emërua i dërguar i posaçëm i OKB-së për Sirinë në tetor të vitit 2018 dhe më parë ka shërbyer në role të ndryshme në OKB si koordinator i posaçëm për Libanin (2007–2008) dhe përfaqësues personal i Sekretarit të Përgjithshëm për Libanin Jugor (2005–2007).
Të tjera
Do të punojmë për t’i bashkuar në një sistem të vetëm
Nga jugu në veri, Kurti viziton Mitrovicën bashkë me Pecin e Atiqin
Gani Koci veteran dhe politikan ka nevojë për pak ndihmë