I emocionuar, Neymari arriti ta ‘shpëtojë’ Santosin edhe pse i lënduar – Ekonomia Online

I emocionuar, Neymari arriti ta ‘shpëtojë’ Santosin edhe pse i lënduar

Santos arriti ta mbyllë sezonin e Brasileirao 2025 me sukses, duke siguruar qëndrimin në elitë falë fitores 3-0 ndaj Cruzeiros në ndeshjen e fundit të kampionatit.

Pavarësisht formës së dobët përgjatë pjesës më të madhe të sezonit – ku klubi i fëmijërisë së Neymar dhe dikur i Pelés rrezikoi seriozisht rënien nga kategoria – skuadra gjeti ritmin në javët e fundit dhe u ringrit në mënyrë mbresëlënëse.

Santos mbylli kampionatin i pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit, duke shënuar edhe tre fitore radhazi, dhe përfundoi në vendin e 12-të me 47 pikë, vetëm katër më shumë se Ceará, e cila u rendit e 17-ta dhe ra nga liga.

Në qendër të këtij rikthimi ishte padyshim Neymar, i cili luajti përtej limitit të tij fizik, duke e vazhduar sezonin me një dëmtim në menisk, vetëm që t’i ndihmonte Santosit t’i shpëtonte rënies.

Ylli brazilian realizoi gjashtë kontribuime në gola në katër ndeshjet e fundit, përfshirë një hat-trick vendimtar kundër Juventude më 3 dhjetor.

Pas fitores së fundit, një Neymar i emocionuar foli për sfidën e kaluar dhe planet e tij të menjëhershme:

“Erdha për këtë: të ndihmoj sa më shumë që mundem. Këto kanë qenë javë shumë të vështira për mua. I falënderoj ata që ishin afër meje për të më ngritur. E pranoj që isha në limit, ishte me grit … por ishte për ju, SANTOS. I kërkova mjekëve të prisnin edhe për këto tre ndeshje të fundit, vetëm që të luftoja për Santos. Tani do të HARROJ FUTBOLLIN për 10 ditët e ardhshme, pastaj do t’i nënshtrohem operacionit në gju”, tha ai.

Neymar do t’i nënshtrohet një operacioni artroskopik në gjurin e majtë gjatë pushimit të sezonit, për të trajtuar dëmtimin në menisk.

Kjo ndërhyrje mund të rrezikojë pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës 2026, pasi rikuperimi zakonisht zgjat disa muaj. Ende nuk ka një afat zyrtar, por koha e kufizuar deri në verë e vë në pikëpyetje praninë e tij.

Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, u pyet për mundësinë e grumbullimit të Neymarit pas shortit të Kupës së Botës:

“Nëse Neymar e meriton të jetë aty, nëse është në formë dhe më i miri, ai do të luajë në Botëror. Pikë.”

Neymar – golashënuesi më i mirë në histori i Brazilit me 79 gola në 128 paraqitje – nuk ka luajtur për “Seleçaon” që nga tetori 2023 për shkak të problemeve të shumta fizike. Ai humbi edhe ndeshjen e fundit ndaj Marokut për shkak të një dëmtimi në kyç, por shpreson të jetë gati deri më 13 qershor 2026, kur Brazili hap Botërorin kundër Marokut – në atë që do të ishte pjesëmarrja e tij e katërt në një Kupë Bote.