Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka thënë se Millan Vukashinoviq që u plagosur e rrëmbye brenda territorit të Kosovës, është në gjendje të rëndë dhe spitali në Serbi nuk ka lejuar as ambasadorin e Kosovës në Beograd që ta vizitojë atë.
Shefja e shtetit këtë e ka quajtur provokim të rëndë nga ana e Serbisë.
“Sipas të dhënave kadastrale kjo është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës. Sa i përket hetimit që po e bëjnë institucionet tona në bashkëpunim me institucionet e sigurisë së shteteve aleate, ne ende po presim konkluzionin final, megjithatë, sa i përket informatave të deritanishme të institucioneve të sigurisë, ju e keni parë edhe deklarimin publik të Policisë së Kosovës, por edhe institucione të tjera të sigurisë e kanë të njëjtin konkluzion që ka qenë brenda territorit të Kosovës, por përtej kësaj, përtej çështjes se ku ka ndodhur, kjo prapë se prapë është krim, është provokim i rëndë dhe është tentim vrasje e institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës së Kosovës. Pra kjo edhe sikur të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë, gjë që nuk është e vërtetë, përsëri është provokim i rëndë në kundërshtim me synimet për paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë, gjë të cilën Serbia e rrezikon vazhdimisht”, tha Osmani.
Ka thënë se si presidente shteti, vazhdueshëm është në komunikim me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it, por edhe përfaqësues të tjerë lidhur me këtë që ka ndodhur, dhe me këtë shkelje të rëndë nga ana e Serbisë.
“Po ashtu përfaqësuesi ynë në Beograd, ambasadori Jashari ka tentuar disa herë ta vizitojë të plagosurin, por nuk është lejuar nga ana e spitalit. Informatat që i kemi është që ai është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore”, deklaroi Osmani.
Ajo para gazetarëve foli zhvillimet politike e seancën për zgjedhjen e qeverisë së re, duke thënë se mandatari i dytë është ende brenda afateve kushtetuese.
“I mandatuari i dytë për kryeministër akoma është brenda afatit kushtetues dhe do të varet nga deputetët e Kuvendit dhe nga Kryesia kur do të ftohet seanca. Seanca duhet të ftohet brenda afatit kushtetues, pra kanë mbetur edhe pak ditë, shpresoj që kjo të bëhet sa më parë që të jetë e mundur dhe të shohim rezultatin e kësaj seance, mirëpo nuk mund ta paragjykoj”, deklaroi Osmani



Të tjera
Vorbulla u kthye në bumerang, duan ta marrin rezultatin në tavolinë
Kompania CETIS pranon përgjegjësinë për gabim në disa fletëvotime
Lakra e kuqe, tri herë më shumë vlera ushqyese sesa e bardha