Autoritetet amerikane kanë identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, ngjarje që tronditi opinionin publik në Shtetet e Bashkuara. Sipas burimeve të cituara nga Daily Mail, i dyshuari është Tyler Robinson, 22 vjeç, banor i Utah, i cili u vu në pranga të enjten në mbrëmje në pjesën jugore të shtetit, shkruan A2 CNN.
Robinson, student me bursë në Universitetin Shtetëror të Utah, dyshohet se vrau Kirk me një plumb të vetëm gjatë një rally-je në Universitetin Utah Valley, në qytetin Orem, pasditen e së mërkurës. Ngjarja shkaktoi kaos dhe një operacion të madh kërkimi, pasi autori u largua nga skena duke u hedhur nga çatia e një ndërtese dhe duke u zhdukur në një lagje aty pranë. Për kapjen e tij autoritetet ofruan një shpërblim prej 100 mijë dollarësh.
Sipas hetimeve paraprake, Robinson kishte rrëfyer aktin e tij para të atit, Matt Robinson, një ish-efektiv me 27 vite shërbim në Departamentin e Sherifit të Qarkut Washington. Babai i tij kontaktoi menjëherë autoritetet dhe ndihmoi në sigurimin e të birit përpara se policia ta arrestonte. Nëna e të dyshuarit, Amber Robinson, punon në një kompani që ofron shërbime mbështetëse për persona me aftësi të kufizuara në Utah. Familja jeton në një banesë me gjashtë dhoma, shkruajnë mediat amerikane, me vlerë rreth 600 mijë dollarë në qytetin Washington, rreth 260 milje larg vendit të krimit.
Pamje të publikuara më herët treguan një figurë duke u larguar nga një çati menjëherë pas të shtënave, ndërsa disa persona u ndaluan gabimisht gjatë hetimeve fillestare. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, konfirmoi se ata u liruan pas marrjes në pyetje.
Donald Trump, mik i ngushtë i Kirk, reagoi në një intervistë për Fox News duke përshëndetur arrestimin dhe duke zbuluar se “dikush shumë pranë të dyshuarit” e kishte dorëzuar. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur motivin e sulmit, por kanë paralajmëruar se Robinson mund të përballet me dënim me vdekje nëse shpallet fajtor.
Charlie Kirk, 31 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe figurë e njohur e lëvizjes MAGA, ishte duke folur para studentëve kur u qëllua. Ai humbi jetën menjëherë pas plagosjes, duke shënuar një nga atentatet më të bujshme politike të viteve të fundit në SHBA.
Të tjera
Nga nëntori ndalohet përdorimi i veturave me targa të huaja me autorizim
Kapen barna të ko*ntrabanduara në barnatore dhe banesa private
ShBA, Trump dislokon Gardën Kombëtare në Memphis për të lu*ftuar kr*imin