Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemit, realizoi sot një vizitë zyrtare në Komunën e Tetovës dhe në Shkup, ku u takua me përfaqësues të institucioneve lokale, organizatave dhe individëve për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në grumbullimin e materialeve arkivore që dokumentojnë dëbimin e dhunshëm të qytetarëve kosovarë gjatë luftës.
Në Tetovë, Hetemi u prit nga Kryetari i Komunës, Bilall Kasami, i cili shprehu gatishmërinë për të mbështetur Institutin në këtë mision me rëndësi historike. Gjatë qëndrimit, ekipi i IKKL-së vizitoi gjithashtu Bibliotekën e Tetovës, ku u nënshkrua procesverbali i dorëzim-pranimit të materialeve arkivore, të cilat do të vihen në dispozicion të Institutit për qëllime dokumentuese dhe hulumtuese, njofton zyra për informim e IKKl-së.
Vizita vazhdoi në Shkup, ku drejtori i IKKL-së u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryqit të Kuq, Sait Saiti, si dhe me Kryetarin e Bashkësisë Islame, Hfz. H. Shaqir ef. Fetahu. Të dyja palët nënshkruan marrëveshje për dorëzimin e materialeve arkivore, duke vlerësuar rëndësinë e dokumentimit të dëbimit dhe vuajtjeve të kosovarëve gjatë luftës.
Gjithashtu, në Tetovë u zhvilluan takime me organizatën El-Hilal dhe individë të njohur, përfshirë prof. Fehari Ramadani dhe z. Ismet Krosii, të cilët dorëzuan materiale të rëndësishme dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar në dokumentimin e krimeve të kryera ndaj popullsisë së Kosovës.
Bëhet e ditur se drejtori Hetemi ka falënderuar të gjithë partnerët për mbështetjen dhe bashkëpunimin, duke theksuar se ky angazhim i përbashkët përbën një kontribut të çmuar në ruajtjen e së vërtetës historike dhe ndërtimin e një arkivi gjithëpërfshirëse për brezat e ardhshëm. U dakordua që bashkëpunimi të vazhdojë përmes projekteve të përbashkëta me karakter shkencor, kulturor dhe dokumentues.



Të tjera
Abdixhiku tregon tri shtyllat që duhen diskutuar për bashkëqeverisje pas 28 dhjetorit
Ushqimet që duhet të konsumoni për flokë të shëndetshëm
Pati skeptikë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, por i garantova që do të jetë e paqes