Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar përsëri për gjendje aktuale me fenomenin “Mangan”, në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.
Në njoftimin e KRU ”Prishtinë” thuhet se rezultatet e analizave të fundit laboratorike tregojnë rritjen e nivelit të manganit në ujin e liqenit të Badocit dhe në rrjetin shpërndarës.
Njoftimi i plotë:
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, më 1 shtator 2025 ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.
Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës.
Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut.
Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.
IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.
IKSHPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët.
KRU “Prishtina” Sh.A. ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme:
Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit;
Intensifikimin e proceseve të shpërlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar.
Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania.



Të tjera
Nuk do të përfshihemi në luftën që ka të bëjë me mbijetesën politike të Netanyahut
Haxhiu bëri homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan
Tri mite rreth shëndetit që nuk janë të vërteta