Imami Labinot Maliqi mirëpriti zyrtarë të lartë amerikanë në fillim të vitit 2026

Imami Labinot Maliqi mirëpriti zyrtarë të lartë amerikanë në fillim të vitit 2026

Hoxha Labinot Maliqi ka njoftuar se ka pasur një nder të veçantë të mirëpresë mysafirë të lartë dhe shumë të respektuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, vizitën e nderuan Sekretari i Shtetit të Luizianës dhe Kolonel i Forcave Ajrore të SHBA-ve, Charlton J. Meginley, Kapelani i Komandës së Shtetit, Kolonel Page Brooks, si dhe Kapelani i Kampit Amerikan Bondsteel, Kolonel Walls, së bashku me përfaqësues të tjerë të Ushtrisë Amerikane.

“Një fillim viti 2026 i denjë dhe domethënës, me mysafir kaq të shquar dhe të respektuar, që përfaqësojnë përkushtim, integritet dhe shërbim të sinqertë”, tha Hoxha Maliqi.

Ai shtoi se, për nder të mysafirëve, është shtruar tapeti i kuq dhe është ngritur flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtizën e xhamisë, si shprehje e respektit, mirënjohjes dhe partneritetit të sinqertë: “Po ashtu, gjatë këtij takimi i falënderova përzemërsisht për kontributin e jashtëzakonshëm që Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka dhënë në çlirimin e Kosovës, për pavarësinë, lirinë, paqen, sigurinë, rindërtimin dhe zhvillimin e saj. Ky kontribut mbetet i paharruar dhe thellësisht i çmuar e i vlerësuar nga populli ynë”.

Një moment i veçantë i vizitës ishte edhe mesazhi i lënë nga mysafirët në librin e përshtypjeve: “Faleminderit për mbështetjen tuaj të pakushtëzuar dhe të palëkundur për Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe, më e rëndësishmja, për përkujdesjen ndaj nevojave shpirtërore të njerëzve tuaj. Kontributi juaj vlerësohet shumë”.

Ky mesazh, i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit Charlton J. Meginley dhe Kapelani Kolonel Page Brooks nga Luiziana, sipas Hoxha Maliqit, ka një vlerë të veçantë dhe mbetet dëshmi e respektit të ndërsjellë dhe e lidhjeve të forta mes Kosovës dhe SHBA-ve.