“Inati e prish kalin”, Lladrovci reagon pas deklaratës së Sami Lushtakut

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar në Facebook duke komentuar në mënyrë të tërthortë deklaratën e fundit të anëtarit të PDK-së, Sami Lushtaku, i cili të hënën shprehu kundërshtimin ndaj kthimit të Lladrovcit në radhët e partisë.

Pas kësaj, Lladrovci, në një postim në rrjetet sociale, ka shkruar se “Inati e prish kalin”.Inati e prish kalin! Një gjë duhet ta kenë të qartë ata që merren me sportin e rëndë: politika ka moral, parime dhe konsekuenca. Mat mirë, prej mirë, qep mirë dhe kostumi del i mirë”, ka shkruar Lladrovci.

Ndryshe, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ditën e hënë ka folur pak para nisjes së konventës së Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se është kundër kthimit të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovi në PDK.

“Jam gjithmonë kundër që Lladrovci të kthehet në PDK”, është shprehur ai.

Kujtojmë se Lladrovci nuk u përzgjedh nga kryesia e PDK-së për të garuar në zgjedhjet lokale, dhe pas kësaj, ai kandidoi i vetëm, ku edhe fitoi sërish një mandat për të udhëhequr komunën e Drenasit.