Industria e Naftës së Serbisë (NIS) ka paraqitur një kërkesë zyrtare pranë Departamentit për Kontrollin e Pronës së Huaj (OFAC), që vepron në kuadër të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për një shtyrje të re të afatit të sanksioneve që rëndojnë mbi kompaninë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Radio Televizioni i Serbisë (RTS), NIS ka dorëzuar një kërkesë të re për zgjatjen e afatit të përjashtimit nga sanksionet, pasi leja e fundit njëmujore për të vazhduar aktivitetin e saj do të skadojë më 27 gusht.
Kjo përbën përpjekjen e radhës të kompanisë për të siguruar vazhdimësinë e operimeve të saj, në një kohë kur përballja me kufizimet ndërkombëtare është bërë një sfidë serioze për aktivitetin ekonomik dhe tregtar të saj, raporton danas.
Deri tani, administrata amerikane ka miratuar pesë herë shtyrjen e licencës që i lejon NIS-it të vazhdojë të operojë pavarësisht faktit se ndodhet nën sanksione. Kjo tregon njëfarë fleksibiliteti nga ana e autoriteteve amerikane, të cilat duket se po vlerësojnë ndikimin më të gjerë që mund të kenë sanksionet mbi tregun rajonal të energjisë dhe mbi partnerët ekonomikë në Ballkanin Perëndimor.
Arsyeja kryesore pse NIS është vendosur në listën e subjekteve që do të sanksionohen është për shkak të pronësisë që shteti rus ka shumicën e aksioneve. Kompania Gazprom Neft, pjesë e grupit Gazprom të Rusisë, zotëron pjesën më të madhe të aksioneve në NIS, gjë që e lidh direkt me interesat strategjike të Rusisë në rajon.
Për këtë arsye, që në muajin mars të këtij viti, NIS i është drejtuar Uashingtonit me një kërkesë të veçantë për të hequr kompaninë nga lista e subjekteve që do të sanksionohen, duke argumentuar se veprimtaria e saj ka rëndësi ekonomike për Serbinë dhe rajonin, si dhe se ndikimi i drejtpërdrejtë i Rusisë në vendimmarrje nuk është i tillë që ta justifikojë përfshirjen në sanksione.
Vendimi përfundimtar për heqjen apo shtyrjen e sanksioneve i takon autoriteteve amerikane, të cilat në politikën e tyre ndaj Rusisë dhe entiteteve të lidhura me të, ndjekin një linjë të ashpër që prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë.
Të tjera
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të hënën
Kosova po fuqizon industrinë e mbrojtjes, duhet anëtarësim në NATO
Kryetari i Zveçanit urdhëron heqjen e fotografisë së Ratko Mlladiqit nga muret e qytetit